Sekuestrohen kamerat e Ministrisë së Mbrojtjes

TIRANË - Grupi hetimor që ka në dorë dosjen “Gërdeci”, ka sekuestruar dhe pritet të përdorë në cilësinë e provës pamjet filmike të marra nga kamerat e sigurisë, të instaluara përreth godinës dhe në ambientet e brendshme të Ministrisë së Mbrojtjes. Lajmi konfirmohet për “Korrierin” nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se pak ditë më parë grupi hetimor i Gërdecit ka marrë përgjigje pozitive rreth kërkesës për administrimin e pamjeve filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë. Burimet sqarojnë se, aktualisht, pamjet që do të zbardhin identitetin e gjithë personave që kanë hyrë në Ministrinë e Mbrojtjes para dhe pas ngjarjes së Gërdecit. Gjithashtu, pamjet filmike, tashmë të sekuestruara, do të përdoren edhe për të vërtetuar emrat e personave të gjetur në regjistrin e hyrje-daljeve të dikasterit të Mbrojtjes. Burime konfidenciale i thanë “Korrierit”, se aktualisht grupi hetimor po shqyrton një për një të gjithë emrat e shënuar në regjistër, të cilët do të verifikohen me anë të pamjeve filmike. Kjo fazë verifikimi, sipas burimeve, pritet që të krijojë një ide të plotë rreth emrave dhe pamjes fizike të personave që kanë hyrë në Ministrinë e Mbrojtjes. Pak kohë më parë, grupi hetimor i çështjes “Gërdeci” mori në cilësinë e provës regjistrin e hyrje-daljeve që mbahet në Ministrinë e Mbrojtjes. Burimet thanë se, nga verifikimet paraprake të bëra në regjistër, rezulton se ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka pasur takime të shumta, kryesisht pas ngjarjes. Gjithçka rreth takimeve të ish-ministrit të Mbrojtjes pritet të zbardhet pas krahasimit të emrave të shënuar në regjistër me imazhet që do të shfaqen në kamerat e sigurisë, të cilat tashmë ndodhen në dorë të hetuesve.