E Diel, 1 Nëntor 2026

Selimi: UÇK ishte ushtri çlirimtare, prandaj na mbështeti dhe NATO

PRISHTINË, 18 shkurt /ATSH/ Në Gjykatën Speciale të Kosovës, në Dhomat e Specializuara në Hagë, u zhvillua sot seanca e fundit gjyqësore para shpalljes së vendimit në ngarkim të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

ish-deputeti Rexhep Selimi, në fjalën e tij përmbyllëse tha se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet në një sallë gjyqi.

“Serbia kurrë nuk e fshehu qëllimin e saj ndaj shqiptarëve. Prandaj pyes sërish: Çfarë duhet të bënim ne? Të prisnim radhën për t’u vrarë, apo të iknim nga shtëpitë tona? UÇK nuk u krijua nga dëshira, por nga nevoja”, tha ai para trupit gjykues në Hagë.

Për mua të qenit bashkëluftëtar i Adem Jasharit është nderi më i madh.
“Po, kam bartur armë. Armët për ne ishin mbijetesë. UÇK nuk kishte qëllim tjetër përveç lirisë. UÇK ishte ushtri çlirimtare.”

“Jam i bindur se bëmë gjënë më të duhur. Edhe sot do ta bëja të njëjtën gjë. Prandaj na mbështeti NATO-ja”, tha ai mes tjerash.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, të cilët ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga muaji nëntor i vitit 2020, akuzohen nga Zyra e Prokurorit Speciale për krime lufte, duke kërkuar nga 45 vite burg për secilin nga të pandehurit.

Gjyqi në Hagë mbylli sot punimet, ku mbrojtja kërkoi pafajësi të plotë për të katërt të pandehurit, teksa brenda 3 muajve trupi gjykues duhet të dalë me vendim.

Sot, gjatë seancës, të pranishëm ishin dhe një numër i madh familjarësh. Në këtë seancë merr pjesë edhe zëvendëskryeministri Glauk Konjufca.

Deklarimet përmbyllëse kanë nisur më 9 shkurt. Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së ka filluar më 3 prill 2023, gati tre vjet pas konfirmimit të aktakuzës, prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

/KosovaPress//r.e/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›