Selmanët e mbrojnë pasurinë me jetë

Nexhat Selmani për pak sa nuk u flijua në mbrojtje të shtëpisë së tij. Ai deshi të hidhej nga kati i dytë i godinës pesëkatëshe në fshatin Mazgit, komuna e Obiliqit, derisa policia tentoi ta nxjerrë me forcë jashtë familjen Selmani.
Urdhri u kishte ardhur ta lirojnë hapësirën nga do të kalojë traseja e autostradës, pasi objekti ku ata banojnë, është bërë pengesë për ndërtimin e Autostradës “Ibrahim Rugova”. Ndërkohë që policia dhe familjarët “shtyheshin” me njëri-tjetrin se kush kishte të drejtë, buldozerët e kompanisë “Bechtel&Enka” në cep të oborrit prisnin që të kryejnë punën sapo të lëshojë pe pronari i saj Burim Selmanaj.
Megjithatë, ai u tregua i vendosur. “Jemi në proces gjyqësor dhe derisa nuk jep ndonjë vendim gjykata - nuk dalim nga këtu”, u thoshte këmishëkaltërve ai vazhdimisht. Kjo edhe u vërtetua dhe pas disa orë orvatjesh këta të fundit u tërhoqën. Komandanti i stacionit policor të Obiliqit, Bashkim Bytyqi, e pranoi “disfatën”. /Indeksonline/