Sëmundjet në vreshtari, specialistët apelojnë për kryerjen e spërkatjeve brenda afateve

Periudha e tanishme përkon edhe me nisjen e kujdesit intensiv në vreshtari. Specialisti i bujqësisë, Balil Bineri, thekson se kjo është një fazë vendimtare për monitorimin e vazhdueshëm të vreshtave, veçanërisht për proceset e spërkatjes dhe tharjes, pasi disa sëmundje mund të rrezikojnë seriozisht shëndetin e kësaj fruti-kulture.
“Duke ndjekur dhe parametrat klimatik, kërkohet monitorim i vazhdueshëm sidomos në vreshta dhe spërkatjet tani janë shumë të rëndësishme në këtë periudhë pasi dëmi mund të jetë i madh”, u shpreh Balil Bineri Specialist i Bujqësisë.
Ndërkohë, ai jep edhe disa këshilla praktike për mënyrën dhe kohën e duhur të spërkatjes, për të siguruar mbrojtje efektive të vreshtave nga sëmundjet dhe dëmtuesit.
“Të paktën një herë në dytë vreshti duhet të kontrollohet, duhet tregohet kujdes në përzgjedhjen e preparateve”, tha specialisti.
Në qarkun e Gjirokastrës janë rreth 700 hektarë tokë të kultivuara me vreshta, të cilat kërkojnë një menaxhim të kujdesshëm, për të siguruar rendiment dhe cilësi të lartë të prodhimit.
Gazetar: Leonida Ylli
/rtsh.al/