E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sequi takon Kryeprokurorin Adriatik Llalla

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë Ettore Sequi ka zhvilluar një takim me Kryeprokurorin Adriatik Llalla. Takimi që ka zgjatur rreth 40 minuta është zhvilluar në zyrën e Llallës dhe vjen në një kohë kur Prokuroria do të vendosë nëse do të apelojë vendimin e dhënë nga gjykata e Tiranës për 21 janarin.

Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, në takim z. Llalla falenderoi diplomatin z. Sequi, për mbështetjen që i është ofruar organit të prokurorisë nga Bashkimi Evropian për forcimin e kapaciteteve hetuese dhe për përmirësimin e kuadrit ligjor.

Duke u ndalur në prioritetet e mandatit të tij, Llalla siguroi zotin Sequi se Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm do të angazhohet maksimalisht për të forcuar besimin e publikut tek institucioni i akuzës, duke u fokusuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Nga ana e tij, ambasadori Sequi ofroi garanci të plotë dhe mbështetje të Bashkimit Evropian për realizimin e objektivave prioritar të institucionit të akuzës, në kuadër të forcimin të shtetit ligjor në Shqipëri. Pas daljes nga Prokuroria e Përgjithshme, ambasadori Sequi nuk ka dhënë asnjë deklaratë për mediat.

Nuk dihet nëse është diskutuar për çështjen e 21 Janarit, për të cilin ambasadori Sequi pak ditë më parë vlerësoi se vendimi është i apelueshëm dhe se duhej shmangur polarizimi për këtë çështje.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›