“Serbët e Kosovës çelësi i dialogut”, diplomati austriak Petritsch: Të forcohet siguria pas ngjarjeve në Banjskë

Diplomati austriak, Wolfgang Petritsch ka deklaruar se dialogu i brendshëm me serbët në Kosovë është çelës për një zgjidhje të qëndrueshme me Serbinë.
po ashtu ai është shprehur se nuk pret rezultat për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë më 2024, për shkak të zgjedhjeve që do të mbahen në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.
“Unë besoj që nëse nuk shfrytëzohet viti 2024, për ta nxitur BE-në dhe Beogradin e Prishtinën, që të mendojnë seriozisht për një qasje të re, atëherë nuk jam i sigurt nëse në vitin 2025 pasi të kenë përfunduar zgjedhjet e vitit të ardhshëm të ketë përparim substancial”, tha Petritsch.
Ndër të tjera, Petritsch tha se incidenti i këtij viti në Banjskë të Kosovës duhet të shërbejë si mësim për rritje të vigjilencës në fushën e sigurisë.
“Mendoj që incidenti në Banjskë do ta fokusojë vëmendjen në sigurinë dhe aspektin ushtarak në vitin e ardhshëm, kur është fjala për marrëdhëniet ndërmjet të dyja palëve”, shtoi ai.
Ai bëri thirrje për përparim në procesin e dialogut me arsyetimin se çdo zvarritje e procesit rrezikon përkeqësim të situatës. /vizionplus.tv