E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Serbët vendosin të largohen nga institucionet e Kosovës/ Borrell: Rrezikohet përparimi i arritur në dialog

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të përmbahen nga çfarëdo veprimi i njëanshëm që mund të rrisë tensionet mes palëve. Kjo deklaratë vjen pas vendimit të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, për t’u larguar nga institucionet e Kosovës, që për Borrel nuk është zgjidhje për mospajtimet aktuale.

“Zhvillimet e fundit vënë në rrezik vitet e punës së palodhur në kuadër të Dialogut Beograd-Prishtinë. U bëj thirrje të dyja palëve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të çojë në tensione të mëtejshme”, shkruan në reagim në Twitter  Borrell.

kryetari i Listës Serbe Goran Rakiç ka deklaruar se vendimi për largim nga institucionet do të zbatohet deri në momentin kur Qeveria e Kosovës të tërheqë vendimin për riregjistrim të makinave dhe të respektojë marrëveshjet e Brukselit.

Prej 1 nëntorit, Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia. Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›