E Martë, 3 Nëntor 2026

Serbia hakmerret për “KiE”, bllokon 300 qytetarë të Kosovës në kufi me Kroacinë

Që prej mesnatës të së martës rreth 300 qytetarë  nga  Kosova janë bllokuar në Serbi, në  pikë kalimin kufitar me Kroacinë. Lajmin e bëri të ditur  sekretari i zyrës ndërlidhëse  të Kosovës në Serbi  Fatmir Haxholli nëpërmjet një statusi në rrjete sociale. Sipas tij e gjitha është një hakmarrje për votimin në favor të Kosovës n렠  Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës .

“Në hakmarrje dhe nervozizëm absurd ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar, autoritetet kufitare të Serbisë në pikëkalimin Serbi – Kroaci nga mesnata po i mbajnë të bllokuar së paku katër autobus me targa dhe udhëtarë, qytetarë të Republikës së Kosovës”, tha Haxholli.

Ndër të tjera  Haxholli theksoi se autoritetet serbe iu  kanë marrë pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit qytetarëve kosovarë, ndërsa e cilësoi shkelje flagrante të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve  mes dy vendeve.

“Bllokimi i mbi rreth 300 qytetarëve është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër me shpjegimin  se ky është një urdhër nga Beogradi”, tha Haxholli.

Një ditë më parë Kosova mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për të vijuar rrugën e anëtarësimit në këtë organizatë, por kjo nuk u prit aspak mirë nga Beogradi. Ministri i jashtëm  i Serbisë Ivica Daçiç e  quajti votimin pro Kosovës një veprim të turpshëm  të Asamblesë.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›