Serbia kthehet nga BE për gazin, Vuçiç konfirmon përpjekjet për t’u shkëputur nga varësia ruse

‘Serbia po hedh hapa konkretë drejt shkëputjes nga varësia energjetike ruse, duke kërkuar alternativa të reja në tregun europian”. Kështu u shpreh presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili pranoi se Beogradi po negocion blerjen e gazit përmes mekanizmave të Bashkimit Europian.
Serbia është ndër blerësit e fundit të gazit rus në Evropë, me mbi 80% të furnizimeve prej andej. Vitin e kaluar, dështoi të siguronte një kontratë të re afatgjatë me Gazprom, dhe një marrëveshje afatshkurtër do të skadojë më 31 mars, tha Vuçiç.
Serbia tashmë blen gaz nga Azerbajxhani dhe planifikon një tubacion nga Greqia për gaz të lëngshëm. Ai tha se paralelisht, po punohet me shpejtësi për tubacionin e ri me Maqedoninë e Veriut, që do të mundësojë marrjen e gazit të lëngshëm nga Greqia.
Gjatë intervistës, Vuçiç theksoi se marrëdhëniet me Moskën mbeten të rëndësishme për çështjen e Kosovës. Ai po ashtu aludoi se shqiptarët qëndrojnë pas demonstratave që nisën pas tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona.
Vuçiç konfirmoi se do të shpallë zgjedhje të parakohshme gjatë këtij viti për të matur sërish besimin e qytetarëve, megjithëse mandati I tij përfundon një vit më pas.
/rtsh.al/