Serbia refuzon marrëveshjen? Daçiç kërkon më shumë kohë, vijon takimi
Në Bruksel po vazhdojnë takimet e ndara konsultative të baroneshës Catherine Ashton me palën kosovare dhe ate serbe.
Agjencitë e lajmeve, kryesisht ato serbe po raportojnë me lajme të ndryshme dhe dezinformata lidhur me ecurinë e procesit të negociatave.
Mirëpo, lajmet e konfirmuara nga Brukseli bëjnë të ditur se përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton po vazhdon takimet konsultative me delegacionin e Prishtinës dhe në anën tjetër me delegacionin serb.
Pala serbe ka refuzuar marrëveshjen e ofruar, derisa ka kërkuar që të bëhen lëshime nga autoritetet e Kosovës. Por, në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi është shprehur këmbëngulës dhe nuk do të bëjë kompromis me marrëveshje që dëmton interesat, integritetin dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës.
Ministrja e Evrointegrime e Kosovës, Vlora Çitaku ka theksuar rreth orës 19.00, se Serbia duhet se do të refuzojë marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Kosovën.
Serbia duket se dëshiron ta refuzojë përsëri draft-marrëveshjen. Ju lutem mos ta humbim këtë shans, ka shkruar ajo në rrjetin social Tëitter. Ajo ka theksuar se opinioni dhe mediat nuk duhet të dezinformohen nga mediat serbe. Mosmarrëveshjet kryesisht kanë të bëjnë me veriun e Kosovës.
Sipas korrespodentit të Zërit të Amerikës në Prishtinë, vëzhguesit e pavarur pohojnë se një kompromis mund të arrihet në fushën e policisë dhe të gjyqësisë.
Serbia ka kërkuar që në veri të Kosovës të ketë një Gjykatë të veçantë të Apelit, ndërsa kompromisi mund të jetë në krijimin e një dege të Gjykatës së Apelit të Kosovës. Asociacioni i komunave serbe mund të fitojë të drejtën për emërimin e komandantit rajonal të policisë, ndërsa një kompromis mund të ketë edhe rreth kërkesës së Serbisë që
Forcat e Sigurisë së Kosovës të mos shfaqen për një periudhë kohore në hapësirën e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Sidoqoftë diplomatët perëndimorë shpresojnë që dita e sotme mund të sigurojë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, që ishte është synimi kryesor i bisedimeve të filluara vitin e kaluar ndërmjet të dy kryeministrave.
Nëse palët pajtohen, atëherë Serbia mund të sigurojë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosova atë të marrëveshjes së stabilizim asocimit.