E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia të respektojë sovranitetin e Kosovës

Deputeti demokristian Roderich Kiesewetter, (anëtar i Komisionit për politikë të jashtme dhe evropiane në Parlamentin Federal (Bundestag) lidhur me vizitën e ardhshme në rajon, tha se nga pala serbe do të kërkojë që të mos ngrihen struktura paralele në veri të Kosovës, por të respektohet sovraniteti i Kosovës.

Në një intervistë për Deutsche Welle Kiesewetter, i pyetur se për çfarë do t'i inkurajojë bashkëbiseduesit e atjeshëm, para së gjithash kur kihet parasysh Kosova dhe dialogun Kosovë – Serbi, ai tha se për Gjermaninë ka rëndësi që pakicat në Serbi (meqë bie fjala: edhe në Maqedoni kështu është) të trajtohen në mënyrë të atillë që ato të qëndrojnë në vendin e tyre dhe të mos kërkojnë për arsye të tjera strehim politik në Gjermani.

“Nuk bën që shtete të Ballkanit të sillen me popullin e tyre në mënyrë të tillë që individë të caktuar, qoftë për arsye ekonomike a për arsye të tjera, të kërkojnë azil në Gjermani. Këtë do të theksojmë në takime, që shtete të cilat duan të hyjnë në BE të sillen me kujdes me pakicat në vendet e tyre, ashtu siç duhet”, tha deputeti gjerman.

Së dyti, shtoi ai, ka një sërë pikash që duhen zgjidhur për sa i takon Serbisë, për shembull zbardhja e sulmit mbi ambasadën gjermane (zjarrvënia e para disa viteve). Ai tha se nga pala serbe do të kërkohet “të mos ngrihen struktura paralele në veri të Kosovës, po që të respektohet sovraniteti i Kosovës”.

Së treti, tha ai, që marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë që kanë nisur në Kosovë të mos rrezikojnë të prishen dhe të mos pengohen, sepse si Serbia ashtu edhe Kosova duhet të kenë interes të përbashkët aftësia për t'u pranuar.

“D.m.th., nisja e negociatave të aderimit për Serbinë, të mund të ndodhë në kohë jo të largët - me siguri që nuk ka për të qenë sivjet - dhe që Kosova ose procesi midis Kosovës dhe Serbisë të çojë në përfundimin që të dyja shtetet të shkëmbejnë ambasadorë ose së paku të dërguar. Pra, që kjo të shpjerë në fund në njohjen e sovranitetit të Kosovës dhe anasjelltas, Kosova të bëjë gjithçka për mbrojtjen e pakicës serbe në Kosovë dhe të mirat kulturore serbe. Këto janë një sërë pikash që do t'i hetojmë dhe trajtojmë atje”, theksoi deputeti Kiesewetter, i cili është anëtar i Komisionit për politikë të jashtme dhe evropiane në Parlamentin Federal (Bundestag) si dhe zv.president i shoqatës së Evropës Juglindore./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›