Sërish përplasje në Egjipt, viktima
Forcat e sigurisë në Egjipt kanë ndërmarrë aksion për shkatërrimin e dy kampeve protestuese në kryeqytetin Kajro, që janë ngritur nga mbështetësit e presidentit të përmbysur, Muhammad Morsi.
Raportohet se policia ka përdorë gaz lotsjellës, ndërsa makinat e blinduara kanë depërtuar në kampe.
Vëllazëria Myslimane ka raportuar se të paktën 120 persona janë vrarë sot në mëngjes, si pasojë e operacionit nga ushtarët me armatim të rëndë.
Protestuesit ishin vendosur në kampe për gjashtë javë, prej se Muhammad Morsi, anëtar udhëheqës i lëvizjes Vëllazëria Myslimane, është përmbysur nga ushtria, më 3 Korrik.
Mbështetësit e Morsit kërkojnë që ai të kthehet në presidencë.
Ndërkohë, presidenti i përkohshëm Adly Mnasour ka emëruar disa gjeneralë si guvernatorë të provincave, duke rikthyer një nga taktikat e ish-presidentit Hosni Mubarak.
Madje një gjeneral i ushtrisë i sapoemëruar, është filmuar në trazirat e 2011-s duke ngritur armën ndaj disa protestuesve , të cilët luteshin për jetët e tyre. Autoritarizmi i Mubarakut konsistonte në përdorimin e guvernatorëve për të pasur besnikërinë e oficerëve të lartë.
Prej përmbysjes së presidentit Morsi, i cili ishte zgjedhur në mënyrë demokratike, nga përleshjet që pasuan, në Egjipt janë vrarë së paku 250 vetë.