Sërish skandal i Anthony Weiner
Anthony Weiner, kandidati potencial demokrat për kryebashkiak të Nju Jorkut pranoi se i kishte dërguar mesazhe provokuese një gruaje, dy vjet pasi la Kongresin Amerikan, po për të njëjtën akuzë.
Viktima e mesazheve të tij, tha në kushtet e anonimitetit për mediat amerikane se kishte patur një lidhje online me 48-vjeçarin vitin e kaluar.
Vetë Weiner, kandidat potencial i demokratëve për kryetar të Nju Jorkut dhe i favorizuar nga sondazhet, para plasjes së skandalit, pranoi se kishte zhvilluar biseda intime me një grua. Para mediave ai kërkoi ndjesë ndërsa shtoi se gjithcka i përket së shkuarës.
Përkrah i qendronte bashkëshortja e tij. Ajo fali bashkëshortin e saj, e mbështeti atë dhe shtoi se ngjarja është hedhur pas krahëve tashmë.
Weiner refuzoi të tërhiqet nga gara për tu shpallur kandidat i demokratëve për kryebashkiak të Nju Jorkut, pavarësisht thirrjeve dhe akuzave të tre rivalëve të tij.
Zgjedhjet brenda demokratëve për përzgjedhjen e kandidaturës do të mbahen në nëntor.