Setien nuk harron: Messi ka një karakter të vështirë për tu menaxhuar

“Messi? Ai është më i miri, por është i vështirë për tu menaxhuar”. Me këto fjalë, ish-trajneri i Barcelonës, Quique Setien, në një intervistë me Vicente Del Bosque në “El Pais”, zbulon për herë të parë disa detaje të përvojës së tij në blaugrana pas shkarkimit verën e kaluar. Dhe referenca për marrëdhënien e tij me kampionin argjentinas nuk mund të mungonte: “Ka pasur lojtarë të tjerë të shkëlqyer, por vazhdimësia që ai ka pasur gjatë viteve, nuk e ka pasur ndonjë tjetër, madje as Pelé”.
“Ekziston një anë tjetër, e cila nuk është ajo e lojtarit, që është më e komplikuar për t’u menaxhuar. Shumë më e komplikuar. Diçka që shihet te shumë atletë. Është shumë i rezervuar, por të bën të kuptosh se çfarë dëshiron. Ai nuk flet shumë, por me shikimin e tij, ju tregon gjithçka. Pas lamtumirës time e kuptova se në kohë të caktuara do të duhej të merrja vendime të tjera, por ka diçka që ka më shumë rëndësi se vetja juaj: klubi. Më shumë se presidenti, lojtarët dhe trajneri. Klubi dhe tifozët, për të cilët duhet të transmetosh respekt. Ka miliona njerëz që mendojnë se Messi është më i rëndësishëm se klubi dhe trajneri. Sepse ai është dikush që i ka bërë ata të fitojnë gjithçka në 14 vite. Por e vërteta është se ka lojtarë që janë të komplikuar për tu menaxhuar dhe Leo është njëri prej tyre. Ai është më i miri dhe kush jam unë për ta ndryshuar? “.