E Diel, 1 Nëntor 2026

Sevin Serjani: PD-së i ka rënë karta e moralit, PS e dobët por me një Ramë të fortë

Në një intervistë për Fax News, juristi Sevin Serjani bëri një analizë mbi zhvillimet e fundit politike në vend, duke kritikuar ashpër si Partinë Demokratike ashtu edhe Partinë Socialiste dhe qeverinë  e re të Ramës.

Sipas Serjanit, Partisë Demokratike i ka rënë karta e moralit, ajo që dikur e ndante nga pushteti dhe i jepte legjitimitet si opozitë. Ai e cilësoi listën e kandidatëve të PD-së si “jo cilësore, pa bazë ideologjike dhe aspak surprizë”.

“PD nuk është më një alternativë morale. Listat treguan një krizë të thellë vlerash dhe vizioni”, – tha Serjani.

Një pjesë e analizës së tij iu kushtua figurës së Gazment Bardhit, për të cilin Serjani shprehu skepticizëm mbi rolin që ai vazhdon të luajë në strukturat e PD-së.

“Sot lind pyetja legjitime: çfarë kërkon ende Gaz Bardhi në PD? Nuk mund të ndërtohet një projekt i ri me figura të vjetra që janë bërë pjesë e problemit”, – u shpreh ai.

I pyetur për ristrukturimin e kabinetit qeveritar, Sevin Serjani nuk kurseu kritikat as ndaj mazhorancës, duke e cilësuar kabinetin e ri si “zbukurime të Edi Ramës”.

“Këta ministra janë të panjohur për publikun. Janë më shumë për fasadë sesa për qeverisje reale. Rama ka vendosur njerëz pa profil publik që nuk kanë fuqi reale. Janë vetëm zbukurime.”

Megjithatë, Serjani pranoi se Rama mbetet një lider i fortë, ndryshe nga partia që e mbështet.

“Sot kemi një Ramë të fortë, por një PS të dobët. Struktura politike brenda Partisë Socialiste është amortizuar, ndërsa Rama mban gjithçka në këmbë me forcën personale.”

Përballë emrave të rinj që shumë prej tyre nuk ishin informuar më parë për detyrat e reja, Serjani ngre shqetësimin për mungesën e transparencës dhe konsistencës politike në vendimmarrje.

“Nuk ka sens që dikush të emërohet ministër dhe të mos jetë i informuar. Kjo tregon nivelin e mbylljes në strukturën e vendimmarrjes dhe centralizimin ekstrem.”

Ai veçoi si të vetmin emër me peshë reale në kabinet Belinda Ballukun, të cilën e cilësoi si “figurë kyçe në pushtetin e Ramës”.

Sevi Serjani e përmbylli analizën e tij me një thirrje për riformatim të thellë politik, si në opozitë ashtu edhe në mazhorancë. Sipas tij, shqiptarët nuk presin emra të rinj, por mendësi të reja që rikthejnë besimin tek politika.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›