E Diel, 1 Nëntor 2026

Sezon i mbarë për bujqësinë në Shkodër, eksperti: Rritet prodhimi dhe përmirësohet planifikimi i fermerëve

Për ekspertët e bujqësisë, ky sezon ka qenë ndër më prodhuesit e viteve të fundit. Përgjegjësi i Ekstensionit Bujqësor në Shkodër, Alban Sekja, shprehet se kushtet atmosferike kanë qenë të favorshme, veçanërisht në zonat që kanë pasur akses në sistemet e vaditjes.

“Ka qenë një ndër vitet më të mira që mund të kemi parë, si në kultura, ashtu edhe në rendimentet e tyre. Nuk ka pasur shfaqje të sëmundjeve të ndryshme. Sidomos ky prodhim ka qenë mjaft i mirë, veçanërisht në zonat ku ka vaditje”, tha Sekja.

Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë sezon është vënë re një ndërgjegjësim më i madh i fermerëve për planifikimin e mbjelljeve. Sipas specialistëve, sipërfaqet e kultivuara kanë qenë më të përshtatura me kërkesën e tregut, duke shmangur në masë të madhe mbiprodhimin dhe vështirësitë në shitje.

Me përfundimin e sezonit të frutave dhe perimeve, fermerët po përgatiten për një tjetër etapë të rëndësishme të vitit bujqësor, atë të vjeljes së vreshtave, nga e cila priten gjithashtu rezultate pozitive.

Gazetare: M. Gjoni       

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›