Sezoni i vjeshtës në bujqësi, fermerët në Libohovë nisin plugimin e tokës

Në Libohovë, fermerët e zonës sapo kanë mbyllur një nga periudhat më intensive të vitit, vaditjen e misrit.
Tani, me mjetet bujqësore dhe energjinë e zakonshme, ata kanë nisur plugimet për të përgatitur tokën për kulturat e vjeshtës. Ky është një hap i rëndësishëm për të siguruar një sezon të mirë prodhimi, pavarësisht sfidave që bujqësia përballet çdo vit.
“Rënia e reshjeve të fundit ka favorizuar kushtet për fillimin e plugimeve për stinën e vjeshtës, për mbjelljen e kulturave që mbillen në vjeshtë. Ka filluar plugimi për mbjelljen e kulturave foragjere, kryesisht tërshërë, e cila shërben për sigurimin e bazës ushqimore gjatë periudhës së dimrit. Në fshatrat e fushës, kryesisht në Bulo, në Libohovë dhe Nepvravishtë është mbjellë një sipërfaqe rreth 60 hektarë me kulturën e tërshërës për hasëll,” u shpreh specialisti i bujqësisë, Filip Zëra.
Këto ditë shënojnë fillimin e një faze të re pune, ku çdo hektar do të përgatitet me kujdes për mbjelljet e vjeshtës. Për ta, kjo është jo vetëm një detyrë e përvitshme, por edhe një garanci që puna të mos shkojë dëm, që të sigurojnë një prodhim të kënaqshëm.
Gazetare: Boralda Pëllumbi
/rtsh.al/