E Diel, 1 Nëntor 2026

Sezoni turistik, AKUK ndërhyrje në rrjet për furnizim më të mirë me ujë në Durrës dhe Kavajë

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Ekipet e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve vijojnë ndërhyrjet për përmirësimin e furnizimit me ujë në zonat e Durrësit dhe Kavajës, me fokus mirëmbajtjen e rrjetit dhe garantimin e një shërbimi më të qëndrueshëm për banorët, veçanërisht tani gjatë sezonit turistik.

Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës (SHRUKD) bëri të ditur se Drejtoria e Mirëmbajtjes ka përfunduar riparimin e saraçineskave manovruese në Urën e Dajlanit, ndërhyrje që ndikon në rregullimin dhe shpërndarjen e ujit në zonën e Plazhit.

Sipas SHRUKD-së, punonjësit vijojnë të jenë në terren për mirëmbajtjen e rrjetit dhe për garantimin e një furnizimi sa më të qëndrueshëm me ujë për qytetarët, veçanërisht në një periudhë të rritjes së kërkesës për ujë për shkak të sezonit turistik.

Ndërkohë, pak ditë më parë, Njësia Operative Kavajë përfundoi punimet për përmirësimin e rrjetit të furnizimit me ujë në lagjen e varrezave të qytetit.

Në kuadër të ndërhyrjes u shtri një linjë sekondare furnizimi me ujë, me gjatësi rreth 100 metra dhe tubacion me diametër 50 mm. Punimet synojnë të përmirësojnë furnizimin me ujë dhe cilësinë e shërbimit për banorët e kësaj zone.

Ndërhyrjet në rrjet janë pjesë e punës së vazhdueshme të strukturave të ujësjellës-kanalizimeve për mirëmbajtjen e infrastrukturës, reduktimin e problematikave dhe rritjen e qëndrueshmërisë së furnizimit me ujë për qytetarët.

/e.xh/r.e/ /a.g/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›