E Enjte, 5 Nëntor 2026

Sezoni turistik, Policia Bashkiake e Durrësit me plan masash për lehtësimin e trafikut

TIRANË, 30 maj/ATSH/ Policia Bashkiake e Durrësit ka miratuar një plan masash mbi qarkullimin e automjeteve me qëllim lehtësimin e trafikut gjatë sezonit turistik.

Plani i masave i cili do të nisë nga zbatimi në 5 qershor deri më 15 shtator 2024 synon organizimin e lëvizjes së automjeteve të transportit të mallrave në qytetin e Durrësit në kuadër të sezonit turistik, si dhe për shkak të fluksit të shtuar dhe ngarkesës që sjellin këto mjete në qarkullim gjatë sezonit të verës, me qëllim garantimin e zhvillimit të qëndrueshëm të sezonit turistik.

Konkretisht, Policia Bashkiake njofton drejtuesit e mjeteve do të ndalohet qarkullimi i mjeteve ATP (automjet të transportit të përzier), me masë maksimale të autorizuar deri në 3.5 ton, sipas këtij grafiku: hënë – premte, ndalim qarkullimi ora 09:00-13:00 dhe ora 16:00-22:00; shtunë, ndalim qarkullimi ora 09:00-22:00; diel, ndalim qarkullimi 24 orë.

Po ashtu do të ndalohet qarkullimi i mjeteve të transportit, me masë maksimale të autorizuar 3.5-7.5 ton, si më poshtë: hënë – premte, ndalim qarkullimi ora 09:00-22:00;
shtunë, ndalim qarkullimi ora 07:00-22:00; diel, ndalim qarkullimi 24 orë.

Policia Bashkiake njofton ndalimin e qarkullimit të mjeteve me tonazh të rëndë ATV (automjete të transportit të veçantë ) me masë maksimale të autorizuar mbi 7.5 ton (betoniere, kamionë, trajler, etj.), si më poshtë: hënë – premte, ndalim qarkullimi ora 07:00-22:00; shtunë – diel, ndalim qarkullimi ora 07:00-22:00.

“Zona e kufizimit të qarkullimit do të jetë përgjatë rrugës ‘Adria’, ‘Dëshmorëve’, rrugës ‘Aleksandër Goga’ (deri te Drejtoria e Policisë), Bulevardi ‘Epidamn’, Shëtitorja ‘Taulantia’, Rruga e Currilave, Rruga Egnatia, rruga ‘Mars 91’, Rruga ‘Hysen Kërtusha’, Rruga ‘Mujo Ulqinaku’, Rruga ‘Glaukia’, Rruga ‘Stefan Kaçulini’, Rruga ‘Pavarësia’, si dhe rruga dytësore Plepa – Përroi i Agait, sipas planvendosjes bashkëlidhur”, thuhet në njoftimin e Policisë Bashkiake.

Subjektet tregtare do të kryejnë veprimtarinë e tyre furnizuese sipas orarit përkatës dhe sinjalistikës së vendosur.

Policia Bashkiake njofton se lejohet qarkullimi i të gjitha mjeteve të policisë, urgjencës, zjarrfikësve, Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale Durrës, Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale Plazh, Agjencisë së Parqeve Urbane, Ndërmarrjes Rruga dhe mjetet e transportit publik urban.

“Qarkullimi i mjeteve gjatë kufizimit të vendosur nëpërmjet këtij urdhëri, do të kryhet vetëm sipas autorizimeve përkatëse të lëshuar nga Bashkia Durrës. Ndërmarrja Rruga duhet të vendosë sinjalistikën e përcaktuar në këtë Urdhër brenda 5 ditëve”, thuhet më tej në njoftim

1 nga 2

/m.m/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›