E Diel, 1 Nëntor 2026

Sezoni turistik, masa emergjente për ndotjen

Masa emergjente për zonat bregdetare. Ndotja vijon të jetë në nivele të larta dhe duhet ndërhyrë sa më shpejt. Këtë deklaratë bëri dje ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, gjatë konferencës së përbashkët me kreun e shëndetësisë, Petrit Vasili, në prag të çeljes së sezonit turistik për vitin 2011. Kreu i mjedisit kërkoi bashkëpunimin e pushtetit lokal për mbetjet dhe ujërat e zeza. Ai paralajmëroi se të gjitha subjektet që shkelin rregullat higjeno-sanitare, do të mbyllen.Vija bregdetare e Shqipërisë, nga Velipoja deri në Sarandë ka një problem të madh, plazhet janë të papastruara. Problematika është shumë e madhe në derdhjet e lumenjve e në zonat përreth tyre, pasi bashkitë e komunat i hedhin mbetjet urbane në këto zona. Probleme jo të vogla hasen në organizimin dhe grumbullimin e mbetjeve urbane në rrethet e Kavajës e Rrogozhinës- tha ministri Mediu. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili premtoi mbështetje maksimale në reduktimin e këtyre problemeve. Në vëmendje gjatë sezonit turistik do të jenë dhe ndotja akustike apo varrezat e makinave, për të cilat ka disa projekte që pritet të zbatohen në muajt në vazhdim.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›