E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfida institucionale edhe p

• Sotiraq HroniKlima politike e përshtatshme për reforma të rëndësishme për stabilizimin sa më të qëndrueshëm të institucioneve, ndoshta duhet shtrirë më tej, të paktën edhe në aspektin teorik. Dhe një nga institucionet e rëndësishme të vendit mbetet Policia e Shtetit. Duke marrë shkas edhe nga disa adresime të rëndësishme të bëra javët e fundit ndaj punonjësve të këtij institucioni, mendoj se duhen pasur parasysh disa çështje që një përfaqësues i lartë politik i kupton në mënyrë të veçantë nga pozita e të qenit në minorancë politike. Me që po flitet për NATO-n, po e nis nga një koment i bërë për Ligjin e Policisë së Shtetit. Zyrtari i lartë nga Brukseli në një mision faktmbledhës për reformat në Shqipëri, pas dy takimeve me drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme për rreth katër orë, atë që mbante më shumë mend ishte se emërimet tash e tutje do të bëheshin nga Drejtori i Përgjithshëm dhe jo nga Ministri. Por, përvoja e kësaj dekade dëshmon se nëse Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk bën ato emërime që do politika, ahere politika heq Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ajo që nuk u arrit nga debati në Parlament mbi këtë çështje disa muaj më parë, ishte domosdoshmëria që edhe për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, ashtu siç është bërë për Shefin e Shtabit të Përgjithshëm apo Drejtorin e Shërbimit Informativ, të vendosej procedura mbi parimin “check and balance”, duke prezumuar se institucionet e shtetit do të kenë pavarësinë e nevojshme nga njëri-tjetri. Por, në këtë shkrim dëshiroj të komentoj disa fusha të nevojës prioritare për të arritur në atë që vetë punonjësi i policisë të ketë besim tek institucioni i policisë. Mbeten sfida shumë të rëndësishme për arritjen e objektivave publike të policisë, vendosja e solidaritetit të brendshëm organizativ, mirëkuptimit, transparencës, procedurave të hapura dhe të njohura për të gjithë punonjësit e policisë, për çdo element të reformave policore. Mungesa e rregullimeve ligjore e normative të proceduarave funksionale bën që policia, sikundër sot, çdo zgjidhje apo problem që ka të bëjë me funksionin, karrierën, përkushtimin, plotësimin e objektivave të punës, të mos e shohë te ligji dhe funksionimi i paanshëm i tij, por te politika. Kjo ndrydh çdo ecje përpara dhe forcim institucional të vetë Policisë se Shtetit, për më tepër besueshmërinë e punonjësve të policisë, të çdo grade apo funksioni te ligji, rregulli, procedura, me një fjalë te funksionimi i paanshëm dhe profesional i institucionit të Policisë së Shtetit. Çdo zgjidhje jashtë kësaj natyre, veçse i mban punonjësit e policisë pagëmarrës të lidhur me drejtuesit e radhës. Personalisht, në arritjen e sa më sipër, duke mos minimizuar rolin e monitorimit, presionit apo asistencës ndërkombëtare, apo aktorëve të tjerë publikë apo privat vendas, do të vlerësoja si aktor të dorës së parë një institucion tashmë ligjor të vetë Policisë së Shtetit, Sindikatën e Policisë. Zbatimi i detyrimeve ligjore të institucioneve përgjegjëse, përfshirë qeverinë, për funksionimin e plotë të këtij organizmi, mbështetur në legjislacionin vendas do të përbënte një moment kyç, duke e kthyer vetë institucionin e Policisë së Shtetit në faktor në realizimin e reformave dhe vendimmarrjen. Sindikata si organ përfaqësues tërësisht profesional mund ta kryejë më mirë se çdo kush këtë funksion. Një çështje tjetër e rëndësishme për profesionalizmin dhe e lidhur me forcimin e besimit të punonjësve të policisë tek institucioni i Policisë së Shtetit, do të ishte vendosja e kritereve sa më të përcaktuara për karrierë në polici, duke vendosur konkurrencën për çdo detyrë e funksion të paktën të rolit të mesëm dhe të lartë. E drejta e përzgjedhjes së vendit të punës deri më tani i është ofruar si kriter vetëm disa studentëve me rezultate të shkëlqyera pas përfundimit të Akademisë se Policisë. Për të zgjidhur përfundimisht këtë çështje thelbësore që nxisin profesionalizmin, karrierën, qëndrueshmërinë në detyrë, objektivitetin në emërim, shmangien e klientelizmit, por edhe për të rritur efikasitetin në punë në mënyrë graduale, policia duhet të vendosë konkurrimin si metodë bazë për çdo funksion dhe në të gjithë vendin, me kritere të qarta, objektiva konkrete pune e plan veprimi për një kohë të caktuar të qëndrimit në detyrë. Përzgjedhja në bazë konkurrimi do të shndërronte tërësisht filozofinë dhe praktikën policore të drejtimit dhe veprimit, por njëkohësisht do të rriste besimin e punonjësve të policisë, se vlerësimi dhe promovimi mbështetet kryesisht tek arritjet individuale dhe kolektive të çdo individi apo në trup policorë. Kjo do të eliminonte një nga plagët më të ndjera të policisë në vite, atë të përkohshmërisë në detyrë, ku ka pasur raste që brenda një viti janë ndërruar tre a më shumë shefa sektorësh apo komisariatesh, apo qoftë edhe drejtorë policie në një vit në qark të caktuar. Një situatë e tillë ka një impakt të drejtpërdrejtë në performancën policore, por edhe të drejtimit. Ajo e bën policinë të shohë jo më larg se dita e punës dhe të drejtuar nga emergjencat apo incidentet e ditës.  Nëse sot po flitet për policimin në komunitet si filozofi policimi, për ndryshime të mentaliteteve dhe një rol sa më të gjithanshëm e multifunksional të punonjësit të policisë, qoftë edhe të atij të rolit bazë, nëse flitet për një policim të drejtuar nga inteligjenca, pra, për praktika bashkëkohore policimi që kanë në bazë praktika të bashkëpunimit ndërsektorial policor dhe përvoja të partneriteteve ndërinstitucionale jashtë policore duke shkuar deri te qytetari, këto do të mbeten një formalitet për aq kohë sa çdo individ që punon në polici në çfarëdolloj detyre, ndjehet i përkohshëm në një vend pune, i kërcënuar nga humori i drejtuesit politik apo më tej i angazhuar tërësisht për të plotësuar ato objektiva pune që kënaqin politikën e ditës. Pra, me fjalë të tjera, nuk mund të ketë investime afatgjata të policisë përmes përsosjes dhe modernizimit të praktikave të policimit, nëse punonjësi nuk lidhet me vendin e punës dhe objektiva e tregues të arritshëm le të themi për dy apo tre vjet drejtimi nga një funksion i caktuar. Ose e thënë edhe më thjesht, motivet e punës dhe përkushtimi ndaj objektivave për çdo polic apo trup policor, duhet të vinë jo vetëm nga sipër, por nga realiteti konkret i zonës së policimit.Sa më sipër, nuk janë interpretime teorike, por mësime të nxjerra nga hulumtime të kujdesshme gjatë shumë viteve të fundit. Nëse sot po krijohen një sërë sensibilitetesh për përballimin e një sërë sfidash, si për shembull, le të themi për parandalimin e krimit, dhunës në familje, parandalimit të dukurive si mbjellja e bimëve narkortike, trafikimit e të tjera, këto mund të realizohen përmes një policimi parandalues, ku kërkohet vizion dhe vullnet për të rritur partneritetet e policisë me institucionet e tjera, në radhë të parë pushtetin e deri te qytetarët. Normimi e rregullimi ligjor dhe vendosja e procedurave të karrierës për policinë, çon në atë që individi të ndjejë peshën dhe rëndësinë e uniformës blu, të besojë tek institucioni dhe të motivohet për rezultate. Nëse nuk ka një besueshmëri të brendshme të anëtarësisë tek organizata e policisë, nuk ekziston motivimi i duhur profesional për punë, ulen shanset e përmirësimit të besimit publik te policia, për rrjedhojë, edhe performanca e policisë do të mbetet e kufizuar tek objektivat e politikes. Për shembull, kishte një mijë e më shumë arsye që lëvizja mediatike e disa drejtuesve të lartë për “autostradën e vdekjes” të mos vinte nga një prononcim publik i kryeministrit të vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›