Sfida me Andorrën, Gjimshiti: Ndeshje e vështirë, duhet të jemi të përqendruar

TIRANË, 23 mars /ATSH/ Shqipëria luan nesër në Arenën Kombëtare kundër Andorrës, në ndeshjen e dytë të grupit K të vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2026 që do të mbahet në 3 shtete në Amerikën e Veriut.
Në konferencën përpara kësaj sfide kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti kërkoi përqendrim maksimal nga lojtarët, duke thënë se kundërshtarë si Andorra mund të hapin probleme.
Sipas tij, presioni është i pranishëm, por shtoi se është diçka pozitive kur kërkohet fitorja.
“Edhe ndeshjen me Anglinë e quaja si mundësi. Ishte një mundësi për ne. Anglia është ekip që luan gjithmonë për të fituar trofe. Nesër do të jetë ndeshje tjetër. Do të jetë një ndeshje e vështirë. Të gjithë duhet të jenë të përqendruar. Ne letër mund të mos duket e vështirë, por në fushë mund të jetë ndryshe”, tha ai.
Gjimshiti u shpreh se, “ata kanë një përparësi që kanë të njëjtin trajner prej shumë kohësh dhe janë të njëjtët lojtarë. Janë të përgatitur fizikisht. Luajnë në mbrojtje. Duhet t’i fusim në duele individuale me sulmuesit tanë që të krijojnë hapësira dhe mendoj se ky do të jetë kyçi”.
“Në futboll në çdo ndeshje e ke presionin. Është një presion ndryshe nga Anglia. Jemi ne favoritë. Duhet të mësohemi me këtë presion. Kam qenë edhe unë kur na barazuan 2-2 në Shqipëri, na shënuan në dy raste”, u shpreh Gjimshiti.
Gjimshiti u shpreh falënderues ndaj tifozëve.
“E kam thënë gjithmonë se janë më të mirët në botë. Besoj dhe e di se do të na mbështesin edhe në këtë ndeshje. Kombëtarja është ndryshe. Nuk je me atë që luan afër teje prej shumë kohësh. Nuk i di lëvizjet e shokut. Është psikologjike mendoj, si ndaj Anglisë. Kur të mbajnë lart, është e vështirë për të dhënë anën pozitive”, theksoi ai.
“Shpresoj të rikthehen fitoret në stadiumin tonë. Ndeshjet nuk fitohen se jam unë. Puna ime është që të mos pësojmë gol. Kemi mësuar nga ndeshjet e kaluar. Do përmirësohemi në kualifikueset e Botërorit. Duam t’i japim kënaqësi tifozëve”, u shpreh kapiteni i Kombëtares.
“Jemi të gjithë profesionistë. Do jetë një ndeshje ndryshe. Duhet të jemi të përqendruar, sepse mund të pësosh me këto kombëtare të vogla”, deklaroi Gjimshiti.
/r.e/