E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sfida ndaj Serbisë, Duka: Shans për të shkuar në play off

TIRANË, 6 tetor /ATSH/ Kombëtarja shqiptare e futbollit ka nisur sot përgatitjet për ndeshjen e radhës në eliminatoret e Kupës së Botës 2026, ndaj Serbisë, që do të zhvillohet më 11 tetor në Leskovac.

Në një intervistë për medien, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, theksoi rëndësinë e kësaj sfide për ecurinë e Kombëtares dhe shprehu besimin e tij te grupi i lojtarëve dhe stafi teknik i drejtuar nga Silvinho.

“Nuk ka asnjë ndeshje të ekipit kombëtar që nuk ka emocion maksimal, por kur bëhet fjalë që je në prag të realizimit të një objektivi apo që je në luftë për pikë, gjërat bëhen edhe emocionale. Ndeshja ndaj Serbisë, për arsye që ne na jep një shans për të shkuar në play off, është shumë e rëndësishme. Të gjitha gjërat e tjera, as unë dhe as lojtarët nuk duam t’i kemi në memorie, qëllimi ynë është sportiv”, tha Duka.

Presidenti i FSHF-së shtoi se fitorja do të na bënte më të sigurt për të arritur objektivin e play off-it, ndërsa barazimi do të na mbante ende në lojë. “Fitorja do të na bënte më të sigurt për të arritur objektivin e play off-it, ndërsa barazimi na mban në lojë. Por ne hyjmë në fushë për tre pikët dhe jemi të ndërgjegjshëm që janë shumë të vështira për t’u marrë. Askush nuk mund të mendojë se ne jemi favoritë. Unë mendoj që kjo është një ndeshje e hapur dhe ne i kemi mundësitë për të marrë 3 pikë”, tha ai.

Sa i përket vendimit për të spostuar ndeshjen nga Beogradi në Leskovac, Duka tha se kjo nuk sjell as avantazh e as disavantazh të madh dhe theksoi rëndësinë e kushteve optimale për lojtarët.

“E rëndësishme është që të jetë një fushë shumë e mirë, ku mund të shprehen lojtarët me kushte të mira dhe kaq.

Presidenti i FSHF-së theksoi gjithashtu se rezultati i ndeshjes nuk do të vendosë fatin e trajnerit Silvinho. “Nëse do të kualifikohemi, nuk ka asnjë motiv për të diskutuar për ndryshime stafi. Nëse nuk do të kualifikohemi, padyshim që do të ketë diskutime, por kjo nuk është një ndeshje që do të vendosë për të ardhmen e trajnerit”, tha Duka.

Ai përfundoi me optimizëm: “Kam besim te grupi dhe fryma e grupit që ne kemi. Ne nuk kemi kualitete të jashtëzakonshme, por kemi kualitet dhe grup më të mirë se Serbia, kështu që kam vërtet ndjesi të mira”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›