Sfida pa kthim e reform
• Fatmir XhafaPrej më shumë se një dekadë e gjysmë, ideja e reformimit të gjithë shoqërisë shqiptare, në të gjitha qelizat e saj, ka qenë kryefjalë e politikës, por në të njëjtën kohë, ka qenë dhe një kërkesë e pandryshuar e qytetarit. Vitet e gjata të izolimit e kishin lënë vendin të shkëputur nga rrjedhat evropiane e moderne të kohës dhe kishin krijuar shoqërinë e mbyllur, me ideologjinë si fe e dogmë zyrtare. Shqipëria ishte një nga vendet e fundit në Evropë që nxitoi të ndahet nga e shkuara, duke pasur në të njëjtën kohë, edhe ankthin e të qenurit në fund, por dhe shansin e atij që nga fundi kishte mundësi të shihte, përvetësonte dhe të korrigjonte gabimet e të tjerëve. Them se ky ka qenë një shans i pashfrytëzuar deri në fund, qoftë dhe për një arsye kryesore, sepse nën flamurin e reformimit, partitë politike në vend e kanë konsideruar përgjithësisht të kryer detyrën e tyre me marrjen e pushtetit dhe nuk e kanë parë atë si pikën e nisjes së shërbesës ndaj qytetarit. Një fat të tillë ka pasur dhe reforma në drejtësi, shpesh e helmuar dhe keqpërdorur për synime të çastit, duke u shndërruar shpesh në majën e litarit të lënë jashtë varrit për sherrin e të gjithëve. Fakti që kjo reformë afron një ndjeshmëri të qartë dhe të lartë të të gjithë aktorëve dhe faktorëve të shoqërisë shqiptare, shpjegohet sepse pothuaj të gjithë ata janë objekt dhe subjekt i drejtësisë dhe padrejtësia e bërë diku në një skaj të vendit shkakton dhembje të padukshme edhe në skajin tjetër. Një shtet nuk mund të ecë nëse kjo gjymtyrë e natyrshme e tij është problematike, një shtet i tillë i ngjan një organizmi që zvarritet dhe lëngon me gjithë shtetasit e tij. Togfjalëshi “Reformë në drejtësi” ka qenë këto kohë ndër më të përmendurit në fjalorin e politikës, por jo vetëm të saj. Edhe të profesionistëve të fushës, të qytetarëve, të medias, të partnerëve tanë etj. Pavarësisht këndvështrimeve, arsyeve e motivimeve të ndryshme, të gjithë bashkohemi në një pikë: të gjithë e pranojmë domosdoshmërinë e një procesi reformues në sistemin e drejtësisë. Ndryshe nga reformat në sektorë të tjerë, qasja te drejtësia është shumë më delikate e komplekse. Në këtë reformë, ne nuk e fillojmë punën nga zero. Ne kemi një rregullim kushtetues e ligjor të sistemit relativisht të ri. Sistemi nuk ka funksionuar keq, përkundrazi në shumë drejtime ka arritje të vlerësuara dhe në disa aspekte u ka rezistuar mirë edhe presioneve që i janë bërë, çka dëshmon qëndrueshmërinë vepruese të institucioneve. Njëherësh është duke u krijuar një shtresë profesionistësh të sistemit që besojnë përditë e më shumë te përgjegjësia dhe vlerat morale e ligjore të funksionit që ushtrojnë. Pavarësisht këtyre, ka një perceptim të qartë negativ të publikut ndaj sistemit dhe, veçanërisht ndaj njerëzve që shërbejnë në të, mungesë besueshmërie te vendimmarrja e tyre; teste e mjaft analiza serioze që provojnë praninë e shkallës së lartë të korrupsionit në hallka të ndryshme të sistemit, paaftësi profesionale e keqmenaxhim të proceseve hetimore e gjyqësore. Të jemi të qartë: një vendim i padrejtë është i mjaftë të ketë fuqinë e pikën e bojës në një gotë me ujë të pastër. Gjithë gota është e helmuar me dyshim mbas këtij momenti. Duhet pranuar se deri më tani ka munguar një analizë e qartë dhe e plotë mbi funksionimin e sistemit, ka munguar mirëpërcaktimi i aspekteve që kanë nevojë të forcohen apo të ndryshohen dhe përmirësohen. Nxitimi i papërligjur është shtrati më i përshtatshëm për gabime. Kështu ka ndodhur shpesh në të shkuarën, kësaj duhet t´i ruhemi të mos ndodhë sërish edhe tani. Çdo gabim ka pasojën e vet, por gabimet në drejtësi i paguajnë të gjithë, për një kohë të gjatë e me mundësi riparimi të kufizuara. Në vlerësimin tonë problemi nuk qëndron aq te sistemi në tërësi, te rregullimi kushtetuese i organizimit dhe funksionimit të tij, se sa te mekanizmat e tij përbërës, që kanë nevojë të sistemohen e harmonizohen më mirë në raport me të tërën dhe ndërmjet tyre, me nevojën për të përmirësuar cilësitë dhe qëndrueshmërinë morale e ligjore të njerëzve që shërbejnë në sistem. Kjo do të thotë se nuk është e nevojshme të preket thelbi kushtetues i sistemit, por duhen ndërhyrje në aspekte të veçanta të mirëfunksionimit të tij, të cilat kanë nevojë për kirurgji të plotë, të qëndrueshme dhe të harmonizuar në kuadrin ligjor përkatës lidhur me mirëfunksionimin e institucioneve të sistemit: OGJ, KLD, KGJ, PP, MD etj. Nga ana tjetër, mendoj se sot është koha për të bërë ndërhyrje të plota, të qëndrueshme dhe të harmonizuara në terrenin, në të cilin vepron sistemi i drejtësisë, duke përfshirë kodet materiale e procedurale.Ideja e Partisë Socialiste për të propozuar, promovuar e mbështetur një Pakt Kombëtar për Drejtësinë, buron nga njohja e nevojës për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe synon, ndër të tjera: • Të nxisë e formulojë një qasje tjetër të procesit, ta largojë atë nga shtrati i demagogjisë së fjalës e deklarimeve emocionale, që në vetvete përbëjnë një rrezik të shtuar ndaj procesit dhe ta shndërrojë në një proces debati konstruktiv, gjithëpërfshirës dhe në funksion të zgjidhjeve efektive;• Të krijojë garancinë për ruajtjen e një raporti kushtetues ndërmjet pushteteve në këtë proces, të vendosë një marrëdhënie të re ndërmjet politikës e drejtësisë, të synojë të mbyllë përfundimisht tranzicionin e vështirë të përpjekjeve për vënien e drejtësisë në shërbim të politikës, duke synuar angazhimin e politikës, për t´i shërbyer më mirë jo thjesht sistemit për hir të sistemit, por vlerave e qëllimeve të tij dhe, nëpërmjet tyre qytetarit;Projekti i propozuar është fryt i një debati të gjerë ndërmjet nesh, kontribut i disa ekspertëve të njohur në fushën e së drejtës dhe i konsultuar me shumë të tjerë të njohur për përvojën e profesionalizmin e tyre. Projekti nuk është mbyllje e debatit dhe as përfundimi e vendimmarrja e procesit. Përkundrazi. Prezantimi i tij publik duhet konsideruar një ftesë për të ndërtuar një proces aktiv debati brenda dhe ndërmjet krahëve të politikës, njerëzve që shërbejnë në sistem dhe strukturave të tyre përfaqësuese, ekspertëve të shoqërisë civile dhe vetë qytetarëve.Mendoj se iniciativa e ndërmarrë dhe projekti që propozohet i parë si iniciativë politike e ligjore, është një shans historik për të ndryshuar mënyrën e të bërit politikë nga politika dhe njëherësh është një mundësi për të rimodeluar një funksion jetik të shtetit, siç është drejtësia për ta bërë atë më funksionale në shërbim të qytetarit dhe të procesit integrues të vendit. Në këtë aspekt, ftoj të gjithë faktorët politikë dhe institucionet e sistemit të drejtësisë të angazhohen për ta përkrahur, mbështetur e zhvilluar pozitivisht këtë pakt.Roli aktiv i opozitës në këtë proces është vijim i asaj fryme të re që ne po tentojmë të sjellim në politikë, është frut i bindjes së thellë që reformimi i sistemit të drejtësisë nuk është domen vetëm i një pjese të shoqërisë, por është një mekanizëm që ndikon në radhë të parë dhe në vetë emancipimin e saj. Ne u nxitëm edhe nga paaftësia e shfaqur nga mazhoranca aktuale, e cila u kujdes më shumë për disa aspekte të forcimit të pushtetit politik, u miklua nga defektet e sistemit dhe u përpoq t’i shfrytëzojë për ta kontrolluar këtë sistem. Në këtë mënyrë, ajo nuk arriti të adresonte problematikat reale të sistemit të drejtësisë dhe nuk arriti të formulojë strategji të qarta e të realizojë një proces aktiv e gjithëpërfshirës.Nga ana tjetër, ne mendojmë se zgjedhësit kanë të drejtën të dinë se cila është oferta jonë publike në këtë fushë, të na vlerësojnë për qasjen tonë ndaj kësaj problematike dhe reformës përkatëse. Pikërisht edhe në këtë drejtim duhet parë angazhimi ynë aktiv publik e parlamentar i realizuar nëpërmjet Sekertariatit për Çështje Ligjore dhe përfaqësimit në Komisionin Kuvendor të Ligjeve, si dhe vetë procesi për përgatitjen e programit të ri politik elektoral e qeverisës së PSSH, të cilit i shërbejnë edhe këto tryeza pune të organizuara nga Fondacioni “Qemal Stafa” si dhe veprimtaria aktive e Komisionit të Çështjeve Ligjore në parti.Pavarësisht nga zgjidhjet teknike, çdo veprim që do të ndërmerret në kuadrin e reformës në sistemin e drejtësisë, duhet të respektojë domosdoshmërish disa principe bazë, plotësimi i të cilave është parakusht themelor për një sistem drejtësie modern siç janë:• Garantimi i plotë i ndarjes dhe balancës ndërmjet pushteteve; • Përmirësimi i mekanizmave dhe procedurave ligjore që luftojnë korrupsionin dhe mbrojnë të drejtat e njeriut; • Sigurimi i transparencës në sistemin e drejtësisë dhe rritja e profesionalizmit dhe efiçencës së tij; • Sigurimi i bazave për bashkëpunimin gjyqësor dhe integrimin në parimet e konsoliduara evropiane të lirisë, sigurisë dhe drejtësisë; • Sigurimi i funksionimit të plotë institucional dhe legjislativ në përputhje me sistemet evropiane gjyqësore dhe acquis communautaire. Për të realizuar respektimin e këtyre parimeve dhe rezultatet që ne dëshirojmë e presim nga reforma, ajo do të duhet të ketë disa dimensione njëkohësisht:• dimensionin ligjor, por dhe atë kushtetues, në rastet kur kjo është e domosdoshme; • dimensioni institucional; • dimensionin organizativ e strukturor; • dimensionin ekonomiko - financiar; • dimensionin njerëzor, profesional, etik dhe disiplinor; Një reformë efektive kërkon domosdoshmërish një proces gjithëpërfshirës dhe profesional, duke vendosur një dialog intensiv me të gjithë grupet e interesit dhe aktorët e sistemit; duke përcaktuar rrugët dhe mënyrat më të mira për thithjen e ekspertizës lokale dhe ndërkombëtare, si mundësia më e mirë në funksion të nevojës për të identifikuar e mirëpërcaktuar problemet themelore që ka drejtësia sot dhe që meritojnë ndërhyrje.Në përfundim, një vëmendje të veçantë dhe mirënjohje dua të shpreh dhe për median, e cila me intuitë patriotike ka kuptuar rëndësinë e problemit dhe është bërë një përçuese direkte e shqetësimeve në dy kahe të barasvlershëm, nga qytetari te politika dhe anasjelltas.Falënderoj në mënyrë të veçantë miqtë dhe bashkëpunëtorët tanë, profesionistë brenda e jashtë sistemit të drejtësisë, që të frymëzuar nga principet e larta të përgjegjësisë qytetare e profesionale, në funksion të qëllimit fisnik për një drejtësi më funksionale në shërbim të qytetarëve shqiptarë, pavarësisht pasjes ose jo të teserës partiake, na kanë vënë në dispozicion përvojën dhe profesionalizmin shumë të vlerësuar, duke na pasuruar me idetë dhe kontributet e tyre të çmuara në alternativat, programet dhe projektet që jemi duke ndërtuar, projekte që i kontribuojnë procesit të sotëm dhe mundësisë për një të nesërme më të mirë në sistemin e drejtësisë shqiptare.Kontributet në këtë sipërmarrje kaq të vështirë, janë të mirëpritura. Ne jemi të përgatitur të dëgjojmë me frymë mirëkuptuese të gjitha vlerësimet, kritikat e sugjerimet që mund të adresohen në këtë debat si dhe në ditët në vijim.Në një sipërmarrje të tillë, heshtja është njëlloj si të pranohen me indiferencë të metat e sistemit, por të metat e sistemit na godasin të gjithëve njëlloj, edhe atëherë kur nuk jemi subjekt i drejtpërdrejtë i tij.