E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sfidat demografike dhe tregu i punës, Begaj: Të zbatohen politika dhe strategji afatgjata për të shmangur pasojat

Përballë situatës ku ndodhet vendi për sa i përket ndryshimeve demografike dhe sfidave në tregun e punës, presidenti Bajram Begaj beri thirrje për zbatimin e strategjive dhe politikave afatgjata për t’u paraprirë surprizave që mund të sjellin këto ndryshime.

Gjithashtu Begaj e cilësoi si prioritar bashkëpunimin midis Shqipërisë, Kosovës dhe rajonit.

“Këto zhvillime demografike ndikojnë drejtpërsëdrejti në tregun e punës. Nga njëra anë mungon fuqia punëtore aktive, por nga ana tjetër papunësia e të rinjve mbetet e lartë. Kjo kontradiktë është një paradoks në fakt, një paradoks që kërkon politika të reja, vizionare dhe afatgjata. Ndërkohë tregu i punës ka nevojë, ka kërkesa, kërkesa të mëdha për punonjës me aftësi të reja,” deklaroi presidenti Begaj.

Duke nënvizuar nevojën për një qasje të integruar midis politikave fiskale, arsimit, migracionit dhe reformën e tregut të punës, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se integrimi i vendit mund të përshpejtojë lëvizshmërinë e fuqisë punëtore.

“Anëtarësimi në Bashkimin Europian do të krijojë mundësi të reja për tregtinë, investimet dhe konvergjencën institucionale. Ai do të rrisë produktivtetin, do të përmirësojë klimën e biznesit dhe do të ulë pabarazitë që ushqehen nga emigracioni. Megjithatë duhet të analizojmë edhe sfidat e mundshme. Përvojat që tashmë njohim nga zgjerimet e mëparshme tregojnë se integrimi mund të përshpejtojë lëvizshmërinë e fuqisë punëtore,” tha guvernatori Sejko.

Këto deklarata u bënë gjatë konferencës ku akademikë dhe përfaqësues të institucioneve nga rajoni dhe më gjerë trajtuan sfidat aktuale dhe ndanë përvojat mbi zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në kontekstin e ndryshimeve demografike.

Begaj: Shkenca, themeli i identitetit kombëtar dhe zhvillimit të qëndrueshëm

Presidenti Bajram Begaj mbajti një fjalë të posaçme në Konferencën Shkencore të organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave të Kosovës, duke vlerësuar rolin e dijes dhe bashkëpunimit akademik në forcimin e identitetit kombëtar dhe zhvillimin e rajonit.

Begaj theksoi se bashkëpunimi midis dy akademive është një shembull frymëzues i unitetit kulturor, historik dhe shkencor mes dy vendeve shqiptare, duke u shprehur se “dija nuk njeh kufij” dhe se bashkimi përmes shkencës është një akt patriotik dhe largpamës.

“Kjo konferencë është më shumë sesa një ngjarje akademike. Ajo është një dëshmi e bashkimit tonë shpirtëror dhe intelektual. Është një hap drejt ndërtimit të një hapësire të përbashkët kërkimore dhe arsimore për të gjithë shqiptarët,” deklaroi ai.

Kreu i shtetit theksoi gjithashtu nevojën për të forcuar institucionet kërkimore, për të mbështetur të rinjtë shkencëtarë dhe për të krijuar një strategji të përbashkët kombëtare në fushën e arsimit të lartë dhe inovacionit.

Presidenti Begaj vlerësoi punën e vazhdueshme të akademive në ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore, gjuhësore dhe historike, duke theksuar se “Akademitë tona janë shtylla të dijes dhe ruajtëse të kujtesës sonë kolektive.”

Ai bëri thirrje që politika dhe akademia të gjejnë më shumë pika takimi, duke theksuar se zhvillimi i vendit dhe i kombit nuk mund të kuptohet pa rolin udhëheqës të dijes dhe kërkimit shkencor.

Gazetarë: j.k., Hajri Mahmutaj

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›