E Diel, 1 Nëntor 2026

Sfidat e të drejtave të njeriut në Kosovë

Gazeta Shqip

Valon Murati

Sot Kosova në fushën e të drejtave të njeriut, është më mirë se çdo herë në historinë e saj. Sidoqoftë, ky konstatim mbetet i tillë vetëm në raport me të kaluarën. Duke qenë se synimet tona janë që të arrijmë shtetet më të zhvilluara demokratike në të gjitha fushat, atëherë, mund të themi, se përkundër përparimeve që ne kemi bërë në fushën e të drejtave të njeriut si në planin e rregullimit të tyre legal, e po ashtu edhe në zbatimin e tyre, ne ende jemi larg standardeve të aplikuara nga shtetet me një demokraci të zhvilluar dhe sundim të funksional të ligjit.

***

Kosova dhe qytetarët e saj gjenden në një situatë absurde në raport me sistemin europian të të drejtave të njeriut, që është i ndërtuar kryesisht rreth Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, si instanca e fundit legale që garanton respektimin dhe interpretimin e të drejtave të përcaktuara në këtë konventë. Siç dihet, vendimet e kësaj gjykate janë  obligative të zbatohen në të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Europës dhe kjo është një ndër arsyet që e bën këtë sistem të të drejtave të njeriut më efikas se sistemet e tjera rajonale. Ndonëse shteti i Kosovës, përmes Kushtetutës, Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut e ka pjesë të sistemit të vetë juridik, qytetarët e saj, si bartës të të drejtave nuk mund të përfitojnë nga ky sistem. Kjo ndodh, sepse Kosova nuk është pjesë e Këshillit të Europës. Kjo mungesë qasjeje në Strasburg, ndikon në dy drejtime, në cilësinë e dobët të të drejtave të njeriut në Kosovë. Së pari, në mënyrë të drejtpërdrejtë pësojnë qytetarët, duke mos pasur mundësi të ankohen në Strasburg. Dëmi tjetër nga i cili pësojnë edhe qytetarët, por edhe vetë sistemi ynë gjyqësor, dhe administrata publike, lidhet me faktin se qytetarët mbeten nën mëshirën e gjykatave dhe administratës publike vendore, të cilat duke mos pasur frikën se vendimet e tyre mund të apelohen përtej Gjykatës Kushtetuese, nuk brengosen të rrisin cilësinë e performancës së tyre.

***

Shpesh dëgjohen qeveritarët e Kosovës duke u lavdëruar me Kushtetutën e Kosovës dhe me faktin se ajo në planin e të drejtave të njeriut është ndër kushtetutat më të avancuara Europë. Përtej problemeve të shumta që Kushtetua ka sa i përket përmbajtjes së shtetit që ka ndërtuar, në planin e të drejtave civile dhe politike dhe aplikimit të dokumenteve ndërkombëtare të kësaj fushe, është e vërtetë se ajo është mjaft e avancuar. Sidoqoftë, kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër e medaljes ka të bëjë me mungesën e instrumenteve për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore. Në nenin 22 të Kushtetutës ku janë listuar instrumentet ndërkombëtare nga fusha e të drejtave të njeriut, të cilat janë drejtpërdrejt të aplikueshme në Kosovë (në këtë nen janë listuar 8 dokumente ndërkombëtare kryesisht të natyrës civile dhe politike). Ndër dokumentet që mungojnë janë Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore dhe Karta Sociale Europiane. Ndërsa nga 31 të drejta të garantuara në Kapitullin e Dytë të Kushtetutës vetëm katër kanë karakter ekonomik, social e kulturor dhe njëra i takon të drejtave të solidaritetit (mbrojtja e ambientit). Mungesa e këtyre të drejtave dhe sidomos e instrumenteve ndërkombëtare që garantojnë të drejtat ekonomike dhe sociale, është kritikuar vazhdimisht, dhe asnjëherë deri më tani nuk ka pasur një sqarim pse ato nuk janë pjesë e Kushtetutës së Kosovës.

***

Institucioni i Avokatit të Popullit ndonëse në mandatin e tij nuk ka fuqi ekzekutive, Kushtetuta dhe ligji i jep autoritet në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ky institucion, obligim primar ka të trajtojë dhe hetojë rastet e shkeljeve të të drejtave të njeriut nga këto institucionet publike dhe të rekomandojë zgjidhjen e çështjeve në dobi të qytetarëve. Në pamje të parë, krijohet përshtypja se ky institucion është një opozitë e administratës dhe sidomos e çdo qeverie të vendit. Në të vërtetë, duke qenë një institucion shtetëror i pavarur, ai në mënyrë permanente duhet të ndërmjetësojë në mes të qytetarit dhe gjykatave, administratës, policisë, në mënyrë që të drejtat e shkelura të riparohen. Në këtë drejtim raportet e ngrira në mes të qeverisë së vendit dhe institucionit të Avokatit të Popullit, që kanë mbretëruar viteve të fundit, e kanë dëmtuar jashtëzakonisht shumë funksionimin e duhur të këtij institucioni, efikasitetin e punës së tij, por edhe autoritetin e tij publik.

***

Në këtë kontekst, bartësi i të drejtave dhe atij të cilit më së shumti i shkelen ato, qytetari, duhet të fillojë të jetë më aktiv në realizimin e të drejtave të tij. Qytetaria aktive arrihet mbi të gjitha duke njohur të drejtat dhe mekanizmat me të cilat mbrohen apo kërkohet zbatimi i tyre. Sa më shumë njohuri që qytetari do të ketë për të drejtat e tij, aq më aktiv do të jetë ai në synimin për të realizuar ato. Duke qenë aktiv, ai do të bëjë presion në sistemin juridik dhe administrativ që të performojë më mirë në fushën e të drejtave të njeriut.

Sfidat e të drejtave të njeriut në Kosovë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›