E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sharje e l

• Arben KallamataPërse jemi më shumë të prirur të shajmë se sa të lëvdojmë? Përse e kemi më lehtë të pështyjmë se sa të puthim? Te këto pyetje mbërrita pas pjesëmarrjes në debatin e paradokohshëm të një forumi interneti. Diskutimi, i marrë shkas nga një diplomat i caktuar, precipitoi shpejt në thirrje dhe angazhime për të hapjen e fushate sulmesh mediatike kundër gjendjes së përgjithshme të diplomacisë shqiptare. Disa nga pjesëmarrësit përfunduan se diplomacia shqiptare është përtokë, se përfaqësuesit tanë në vende të ndryshme caktohen në bazë të interesave partiake dhe se duhet bërë thirrje për masa të menjëhershme. Përpara se të krijoja bindjen time në mbështetje ose kundër këtij mendimi, bëra një kërkim të shkurtër në faqen e Ministrisë së Jashtme në internet dhe i hodha një sy listës së ambasadorëve shqiptarë. Është e vërtetë që asnjë prej tyre nuk ka mbaruar shkollë të veçantë për diplomaci, siç është e vërtetë edhe që në Shqipëri nuk ekziston një shkollë e tillë. Pra, është e pamundur të kërkosh njerëz me shkollë diplomacie, kur vendi nuk e ka një shkollë të tillë. Por, nga ana tjetër, shumica prej tyre kanë ndjekur kurse afatgjata specializimi në fushën e diplomacisë, kryesisht në vende të Evropës ose në SHBA. Nisur nga këto të dhëna, dërgova në forum një mesazh në të cilin shpreha mendimin se nuk e pranoja arsyetimin që diplomacia shqiptare ishte në gjendje për të qarë hallin; se shumë nga diplomatët tanë janë të aftë, të përgatitur dhe me nivel. Përmenda edhe disa që nuk janë emërime partiake, por diplomatë karriere dhe për të cilët kam aq informacion sa ta, me bindje që janë të aftë për punën që bëjnë. Si shembull solla këtë listë emrash: Zef Mazi, Piro Koçi, Besnik Konçi, Vladimir Prela, Margarita Gega, Artur Kuko, Vili Minarolli, Gazmend Turdiu, Maxhun Peka, Roland Bimo dhe Edit Harxhi. Është në nderin e të gjitha qeverive që nga 1992 e këtej, që shumica e tyre kanë vazhduar të punojnë normalisht në Ministrinë e Jashtme dhe nuk janë hequr për arsye politike. Si rëndom në forume interneti, ku përplasja e mendimeve është gjëja më e zakonshme, e kisha të sigurt se ideja ime do të kundërshtohej dhe prisja që të silleshin argumente në drejtim të kundërt (domethënë që gjendja e diplomacisë shqiptare nuk është e mirë), ose që disa nga emrat që përmendja unë nuk janë në lartësinë e duhur). Reagimet erdhën, por në një drejtim krejt të papritur. Ata që e kundërshtonin ishin të revoltuar se përse kisha “komplimentuar” gjithë këta njerëz. Dikush, që e paraqiste veten si diplomat, u hodh dhe tha se unë po iu bëja qefin gjithë këtyre zyrtarëve të diplomacisë, sepse kërkoja që ata t’i jepnin dorë karrierës së djalit tim që punoka në Ministrinë e Jashtme (çudi, djali im i madh është vetëm 19 vjeç, ka 11 vjet që s’ka shkelur në Shqipëri, studion për ekonomi e financë, dhe as që ka ndonjë plan të punojë për Ministrinë e Jashtme apo për ndonjë ministri tjetër). Nejse, ky njeri ishte i bindur që unë duhet të kisha patjetër një interes të ngushtë, përndryshe nuk kishte se si të kuptohej fakti që po shkruaja fjalë të mira për diplomatët. Dikush tjetër u mundua ta përgjithësojë: “…kjo është arsyeja që ai vend nuk ecën përpara z. Kallamata”, shkruante “se njerëzit mundohen t’i bëjnë komplimente njerëzve pa asnjë meritë”. Sipas këtij, vendi ka mbetur mbrapa jo për shkak se nuk punohet, se ka korrupsion, injorancë, kriminalitet dhe mentalitetit mesjetar (që shkon deri në vazhdimin e traditës së gjakmarrjes), se mungon ligji dhe të mbyt prapambetja, por për shkak të disa një mendimi pozitiv që po shprehja për disa specialistë. Po të lexosh shtypin shqiptar në përgjithësi, do të vësh re një ndarje në dy kampe, që tradicionalisht konsiderohen majtas dhe djathtas. Ata që e shohin veten majtas, si rregull shajnë e pështyjnë ata që janë djathtas. Ata që ndjehen djathtas, shajnë e pështyjnë të tjerët. Nganjëherë, ata që janë majtas lavdërojnë me të madhe ata që janë në majë të së majtës; dhe të njëjtën punë bëjnë ata që janë djathtas për të vetët. Ky rregull nuk prishet asnjëherë. Prandaj njerëzit janë mësuar aq shumë me këtë sistem, saqë porsa të hapësh gojën të flasësh, porsa të shtrish duart mbi tastierë për të shkruar, ta kanë parapërcaktuar pozicionin. Në këtë sistem të shtrembëruar, por të ngrirë vlerësimi, gjithçka zhvlerësohet. Sado ashpër dhe me të drejtë ta kritikosh dikë, nuk mund të kesh efekt, pasi parapërcaktohesh si në pozicion kundërshtar dhe të paragjykohen të gjitha motivet e kritikës. Edhe po lavdërove dikë, përsëri motivet e lavdërimit do të të paragjykohen. Duket sikur politikanë, analistë, gazetarë, aktivistë partish, zyrtarë, janë rreshtuar sipas kampeve në të dyja anët e Lanës dhe pështyjnë kundër njëri-tjetrit. Të gjitha cirkat e pështymave qameti arrijnë deri në ujin e Lanës, duke mos pasur asnjë efekt, të paktën as aq sa për t’i shtuar qelbësirllëkun atij uji. Se si kemi arritur në këtë ditë, unë nuk e di. Ndoshta e kemi të trashëguar nga ajo kohë kur gjërat shiheshin me detyrim bardhë e zi, kur parulla e ditës ishte “Ja me ne, ja me ata, rrugë të mesme s’ka”, kur ndaj udhëheqjes së Partisë mund të bëje vetëm lëvdata, dhe kur ndaj armiqve të saj mund të nisje vetëm sharje e mallkime. Sidoqoftë, këtu diçka duhet ndryshuar, dhe shembullin mund ta japin fare mirë media dhe politikanët. Në shkollën ku jap mësim kam studentë të ardhur thuajse nga e gjithë bota, profesionistë të fushave të ndryshme, individë me kultura nga më të shumëllojshme. Herë pas here iu kërkoj të bëjnë këtë ushtrim: secili prej tyre t’i drejtohet me radhë të gjithë studentëve të tjerë në klasë dhe t’i bëjë të paktën një kompliment, t’i thotë një gjë të mirë, pozitive. Zakonisht ata e nisin me ngurrim, por në fund të aktivitetit, ndihen të gjithë mirë - ndihen mirë për komplimentet që kanë marrë, por sidomos për ato që kanë dhënë. A e kemi ne kulturën e thënies së një fjale të mirë pa interes, pa prapamendim? A e shijojmë ndonjëherë kënaqësinë shpirtërore që të jep një fjalë e mirë e thënë për dikë? Unë mendoj se nuk e kemi, por mund ta zhvillojmë. Ndoshta Presidenti i Republikës s’do të bënte keq të dekretonte një ditë në vit si Ditën e Komplimenteve, ku të gjithë t’i thoshin diçka të mirë njerëzve përreth. Ndoshta Kryeministri Berisha mund të jepte shembullin e vet, duke lavdëruar kreun e opozitës dhe kryebashkiakun Rama për punën e mirë që ka bërë me lyerjen e fasadave në Tiranë, ose për mirëmbajtjen e rrugëve të kryeqytetit. Ndoshta Rama mund t’ia kthente komplimentin, duke lavdëruar qeverinë për ritmet e rritjes ekonomike të vendit. Të jesh në gjendje të përcaktosh vlerat e tjetrit, qoftë edhe kur ky është kundërshtar politik, tregon aftësi dhe zotësi analitike. Të jesh në gjendje t’i shprehësh hapur këto vlera, tregon zemërgjerësi, mungesë kompleksiteti në vetvete dhe trimëri. Siç tregon edhe zgjuarsi, sepse arrin të krijosh tek të tjerët bindjen që je i paanshëm, pra i besueshëm. Në këtë rast, edhe kritika zë më tepër vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›