E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shefi i kabinetit të Kserës, trafik vizash me SHBA

ksera

Shefi i Kabinitetit i Spiro Kseres, Kleves Bitro, rrezikon te gjykohet per trafik vizash me SHBA. Tre persona të pajisur me dokumente fiktive si punonjës të Ministrisë së Punës kanë arritur të largohen në SHBA në vitin 2010 dhe nuk janë kthyer më në Shqipëri. Ky fakt ka dalë në dritë gjatë hetimeve që Prokuroria është duke zhvilluar në lidhje me kallëzimet e bëra nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ndaj dikasterit të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Zyrtarë të këtij institucioni dyshohet se kanë pajisur me dokumente fiktive tre persona në vitin 2010 sikur ata ishin punonjës të Ministrisë. Pajisja me dokumente si punonjës është bërë në kuadër të pjesëmarrjes në një seminar trajnimi disajavor që mbahej në SHBA në vitin 2010.

Pasi kanë marrë dokumentet sikur të ishin punonjës të Ministrisë së Punës, tre personat kanë aplikuar dhe janë pajisur me viza afatshkurtra dhe kanë udhëtuar në drejtim të SHBAve. Nga të dhënat e mbledhura gjatë hetimit ka dalë se tre personat, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, kanë qëndruar në Amerikë gjatë kohës së zhvillimit të seminarit, por më pas kanë shkelur afatin e qëndrimit dhe nuk janë kthyer më në Shqipëri pas përfundimit të aktivitetit trajnues. Moskthimi në Shqipëri i tre personave është evidentuar nga autoritetet organizatore të trajnimit, por edhe nga Policia dhe Prokuroria shqiptare me anë të të dhënave në sistemin TIMS. i dyshuari kryesor për dhënien e dokumenteve është shefi i kabinetit të Ministrisë së Punës, aktualisht person nën hetim nga Prokuroria. 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›