E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembet një banesë në Kombinatdyshohet një person nën gërmadha

TIRANE - Një ndërtesë tre katëshe në zonën e ish-TEC-it në Kombinat është shembur ndërsa dyshohet se nën gërmadhën e saj të jetë një person, i cili më herët po punonte për nxjerrjen e skrapit në këtë zonë.

Dëgjuam të bërtitura! Janë këto deklarata të banorëve të cilat kanë vënë në lëvizje uniformat blu për të filluar kërkimet dhe për të zbuluar nëse vërtetë shembja e banesës ka zënë poshtë një person.

Sipas dëshmive të marra, policia ka mundur të identifikojë personin në fjalë, po për shkak se nuk është e konfirmuar nëse ai mund të jetë nën gërmadhë, nuk bën të ditur emrin e tij, përveçse deklaron se është një i ri rreth të 30-ave.

I riu në fjalë ka qenë duke punuar me matrapik për shkëputjen e hekurit nga pjesët e kësaj ndërtese, të cilat mund të shiten për skrap në pika të caktuara të grumbullimit të tyre. Dyshohet që punimet me matrapik të kenë shkaktuar edhe shembjen e banesës.

Familjarët e personit që ka qenë duke punuar më parë, pasi janë njoftuar nga policia kanë shkuar në vendngjarje, pasi i afërmi i tyre nuk i është përgjigjur në telefon.

Policia është duke kërkuar ndihmën e një ekskavatori për të nisur gërmimet dhe për të shuar dyshimet nëse nën gërmadha ndodhet personi i cili punonte për të nxjerrë skrap.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›