E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembet segmenti rrugor në fshatin Usojë, inertet bien në oborrin e një familjeje, kryefamiljari: Fatkeqësi natyrore, s’ka faj njeri

Reshjet e ditëve të fundit kanë shembur një segment rrugor prej 20 metrash  në rrugën e re të rikonstruktuar të fshatit Usojë në bashkinë Mallakastër.

Asfalti ka përfunduar në oborrin e një banese private.

Reshjet  nxorën në pah atë që banorët kishin frikë prej kohësh , mungesë standardesh të elementëve bazë teknikë, si mosndërtimi i mureve mbajtës për mbrojtjen nga erozioni dhe mungesën e kanaleve kulluese anësorë.

Rrëshqitja e asfaltit ndodhi rreth orës 11:00 të ditës së djeshme duke rrezikuar  banesën e familjes Kamaj.

Fatmirësisht në ato momente nuk ka qenë asnjë nga anëtarët e familjes në oborrin e banesës thotë Bektash Kamaj, ndërsa thekson se për shembjen e rrugës është njoftuar nga prindërit e alarmuar.

“Dje më kanë lajmëruar prindërit dhe më kanë thënë për pjesën  e murit që ka rënë. Kjo është një fatkeqësi natyrore, nuk është faji i askujt. Kemi njoftuar bashkinë, kryetarin, kanë bllokuar rrugën”, tha Bektash Kamaj. 

Aktualisht rruga është e pakalueshme, ndërkohë që përgjegjësi i infrastrukturës në drejtorinë e bashkisë Mallakastër Kasëm Saliaj, pohon se është duke u punuar për pastrimin e inerteve nga oborri i banesës dhe është lajmëruar firma zbatuese e projektit e cila pritet të ndërhyjë ditën e nesërme.

Ndërkohë banorët e Usojës nuk fshehin zhgënjimin për rrugën e shembur e cila sipas tyre rrezikon edhe në segmente të tjera.

“Rruga është pa kanal, është bërë gati nga krahu poshtë, ka çarje. Na i kanë premtuar muret dhe nuk na i kanë bërë. Kjo është rrugë ekzistuese, ka qenë rrugë me taban jo kështu. Se si iku nuk e dimë. Pa kanal nuk bëhet asnjë rrugë”, thotë banori.

Segmenti rrugor prej 1.5 kilometër është pjesë e projektit për rikonstruksionin e rrugëve në fshatrat Belistan, Usojë dhe Drenovë e Re.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›