E Martë, 3 Nëntor 2026

Shembja e urës në SHBA, autoritetet nisin kërkimet për gjetjen e trupave të pajetë

Gjashtë persona dyshohet se kanë humbur jetën, kur anija e mallrave Deli goditi urën Frensis Skot Kei në Baltimotë mëngjesin e së martës. Autoritetet policore thanë se bazuar në kohëzgjatjen e operacionit të  kërkimit dhe temperaturën e ujit, nuk besojnë se do të gjejnë ende gjallë ndonjë personat që rezultojnë të zhdukur.

Rojet bregdetare amerikane dhe zyrtarët e policisë së shtetit të Merilendit pezulluan operacionet e  shpëtimit, ndërsa njoftuan se kanë kaluar në fazën e gjetjes së trupave të pajetë, që dyshohet se kanë qenë pjesë e një skuadre ndërtimi që po riparonte rrugën mbi urë në kohën kur kjo e fundit u shemb.

Sekretari amerikan i Transportit u shpreh se pret që incidenti të ketë një ndikim të madh dhe të zgjatur në zinxhirët e furnizimit. Ndërsa Presidenti Bajden tha se qeveria amerikane do të mbulojë të gjithë koston e rindërtimit të urës. Ura e Baltimorës u shemb mëngjesin e së martës pasi një anije mallrash goditi një nga kolonat mbështetëse të saj, duke bërë që shumë njerëz dhe automjete të binin në ujërat e lumit Patapsko.

Pas shembjes së urës, është ndaluar trafiku detar brenda dhe jashtë Portit të Baltimorës, i cili është një nga më të mëdhenjtë në Bregun Lindor dhe shërben si një qendër kryesore transporti për automjetet, mallra ndërkombëtare dhe ngarkesa të tjera.

Gazetare: V. Zhari

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›