Shembuj që duhen ndjekur, histori suksesi për të motivuar nxënësit

Dikur ai ka qenë nxënës i Shkollës Profesionale Shërbime në Korçë, teksa sot është i punësuar si shef kuzhine në një prej restoranteve më të mira të qytetit. Për të ndarë eksperiencën e tij Eriglanti Zylyftar ka zhvilluar një orë mësimore praktikë profesionale me nxënësit e drejtimit Hoteleri-Turizëm.
“E kam nisur nga kjo shkollë si nxënës ku mora njohurit e para dhe më pas u punësova tek një nga bizneset e qytetit ku bëra praktikën dhe sot jam shef në një ndër restorantet më të mirë të qytetit. Duke e parë fushën e turizmit sa nevojë ka për këtë lloj profesioni i bëj thirrje të gjithë të rinjve të vijnë në shkollë”, tha shefi i kuzhinës, Eriglant Zylyftari.
Këto orë mësimore shërbejnë për të motivuar nxënësit e kësaj shkolle, duke i inkurajuar ata që të besojnë në aftësitë e tyre për të arritur suksesin.
“Praktika profesionale që bëjmë me ish nxënës, është shumë e rëndësishme sepse është një hap shumë i madh për të dal në tregun e punës sepse do të mësojmë hapat e para të cilat na vlejnë jo vetëm në shkollë por edhe në jetë”, tha njëri prej nxënësve, Jurgest Malushi.
Këtë vit shkollor janë regjistruar pranë Shkollës Profesionale Shërbime në Korçë rreth 80 nxënës, teksa në total në të gjitha drejtimet që ofron kjo shkollë ndjekin studimet rreth 400 nxënës.
Gazetare: E. Dyrmishi
/RTSH/