Shërbimet e-Albania falas, qytetarët të kënaqur me ndihmën që u jepet në bashkinë Korçë

Qytetarët në të gjitha bashkitë e vendit mund të përfitojnë tashmë ndihmë falas për përdorimin e platformës e-Albania, falë një nisme të re të ndërmarrë në bashkëpunim mes autoriteteve lokale dhe institucioneve qendrore.
Në çdo sportel pranë bashkive, është vënë në dispozicion shërbim i asistuar për aplikime online, ku qytetarët mund të marrin ndihmë në aplikime për certifikata, dëshmi dhe dokumente të tjera zyrtare, krijim ose akses në llogarinë personale në e-Albania, etj.
“E kam pasur të vështirë për ta përdorur, ndërsa tani është një lehtësi e madhe për të gjithë pensionistët”, u shpreh një pensionistë.
“Ky shërbim na ka lehtësuar shumë, po zgjidhim probleme dhe jemi të kënaqur që nuk po sorollatemi, vijmë në bashki dhe mbarojmë punë”, tha një qytetar.
Bashkitë ftojnë qytetarët të mos ngurrojnë të kërkojnë ndihmë pranë sporteleve të shërbimit, ku punonjës të trajnuar janë të gatshëm t’i asistojnë në çdo hap të procedurave online.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/