Shërbimet e “e-Albania”, një makth/ AKSHI dhe “Diella” lënë në baltë bizneset

Logohesh, sheh një gjë që rrotullohet dhe kaq. E pyet “Diellën”, pse nuk punon? Asnjë përgjigje.
Ky është stresi i përditshëm i mijëra ekonomistëve, financierëve e kontabilistëve të punësuar nga dhjetëra mijëra biznese për të deklaruar aktivitetin e tyre në shërbimet “e-Albania”.
Çdo vonesë ka prapa një faturë të kripur, që e paguan biznesi, ndonëse faji është i sistemit që menaxhohen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, AKSHI.
Një minutë vonesë ndëshkohet. Nëse t’i dorëzon në QKB pasqyrat financiare në datën 1 në orën 00.01 gjobitesh me 60 mijë lekë të reja. Ndërkohë, deri në atë minutë ti ke qenë duke luftuar me sistemin: punon, apo nuk punon; e mori apo nuk mori; u ngarkua apo nuk u ngarkua dokumenti.
Platforma “Self Care”, e sistemit të faturave ka disa kohë, që në pjesën më të madhe të ditës del jashtë funksionit, duke sjellë vështirësi dhe ngarkesë, aq sa përdoruesit detyrohen të bëjnë roje, për të kapur momente kur mund të arrijnë të punojnë në faqe.
Të ndodhur në këto kushte, bizneset dhe ekonomistët kanë vetëm një kërkesë që po ia adresojnë çdo ditë AKSHI-t, i cili prej disa muajsh po hetohet nga SPAK për një sërë akuzash të rënda..
Ndërkohë, AKSHI, tashmë me drejtues të ri, vazhdon të deklarojë se shërbimet janë funksionale dhe se probleme ka vetëm kur ka ngarkesë. Por në një shtet si Shqipëria, që ofron mbi 1,200 shërbime online, një numër rekord ky, duke mbuluar 95% të të gjitha shërbimeve publike për qytetarët dhe bizneset, ngarkesa në “e-Albania” është e përditshme.