E Diel, 1 Nëntor 2026

Shërbimi Onkologjik i QSUNT-së anëtarësohet në Organizatën Evropiane të Instituteve të Kancerit

TIRANË, 20 qershor /ATSH/ Shërbimi Onkologjik i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT) është anëtarësuar në Organizatën Evropiane të Instituteve të Kancerit (OECI), një zhvillim që shënon avancimin e mëtejshëm të kujdesit onkologjik në vendin tonë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informoi sot se “anëtarësimi në OECI konsiderohet një hap domethënës drejt përmbushjes së standardeve evropiane në trajtimin dhe menaxhimin e sëmundjeve tumorale, si dhe forcimit të bashkëpunimit me qendrat më të avancuara onkologjike në Europë”.

Përmes këtij anëtarësimi, Shërbimi Onkologjik i QSUNT-së synon të përfitojë nga shkëmbimi i eksperiencave profesionale, praktikat më të mira klinike dhe programet e zhvillimit të vazhdueshëm, duke kontribuar në rritjen e cilësisë së shërbimeve për pacientët.

Anëtarësimi në Organizatën Evropiane të Instituteve të Kancerit vlerësohet si një mundësi e rëndësishme për integrimin e mëtejshëm të sistemit shëndetësor shqiptar në rrjetet profesionale ndërkombëtare dhe për ofrimin e një kujdesi gjithnjë e më cilësor për pacientët.

/e.i/ /a.g/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›