Shërbimi Social Shtetëror Dibër reagon për rastin e 11-vjeçarit me autizëm që u gjet i lidhur me zinxhir: Nëna e largoi nga trajtimi në prill, po vlerësohen shërbimet e nevojshme (VIDEO)

Shërbimi Social Shtetëror Dibër ka reaguar zyrtarisht lidhur edhe me rastin e një 11-vjeçari me çrregullime të rënda të spektrit të autizmit, i cili sipas konstatimeve të policisë, mbahej i lidhur me zinxhir në këmbë. Sipas mediave ngjarja çoi në referimin e çështjes në Prokurorinë e Dibrës për hetime të mëtejshme, ndërsa nëna e tij Dhurata Hasa ka shprehur shqetësimin për të ardhmen e djalit dhe frikën se mund të humbasë kujdestarinë e tij.
Në reagimin zyrtar, Shërbimi Social Shtetëror Dibër sqaron se fëmijës i janë ofruar shërbimet e nevojshme pranë Qendrës “Shpresa e Re” në Bashkinë Mat, përfshirë edhe trajtimin me medikamente.
Sipas deklaratës në muajin prill nëna e ka larguar fëmijën nga shërbimi me vullnetin e saj pasi sipas saj terapia me medikamente mund t’i shkaktonte dëmtime të rënda në tru.


Në deklaratën zyrtare theksohet se për trajtimin e rastit janë ndjekur protokollet përkatëse të menaxhimit, në përputhje me procedurat dhe standardet e përcaktuara.
"Fëmija ka marrë shërbimet e nevojshme pranë Qendrës “Shpresa e Re” në Bashkinë Mat, përfshirë edhe terapinë me medikamente. Në muajin prill, nëna e ka larguar fëmijën nga trajtimi me vullnetin e saj, me pretendimin se terapia me medikamente mund t’i shkaktonte dëmtime të rënda në tru.
Ndërkohë, grupi i punës së Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror po shqyrton rastin dhe po përgatit një vendim për rastin në fjalë, duke përfshirë në këtë proces edhe nënën e fëmijës. Qëllimi është të vlerësohen mundësitë për ofrimin e shërbimeve të integruara, në interesin më të lartë të fëmijës."-thuhet në reagim.
Lajmi kryesor: