E Enjte, 5 Nëntor 2026

Sherman dhe Nuland në poste drejtuese të diplomacisë

Presidenti i zgjedhur Joe Biden ka në plan të emërojë dy diplomate me përvojë Wendy Sherman dhe Victoria Nuland si zyrtaret nr. 2 dhe nr. 3 në Departamentin e Shtetit, thanë dy burime që kishin dijeni për këtë çështje, njofton VOA duke ju referuar Reuters.

Zonja Sherman, një nga negociatoret kryesore të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin, që Presidenti Donald Trump e braktisi, do të emërohet zv/sekretare e shtetit, thanë burimet, duke konfirmuar një njoftim që u shfaq për herë të parë në gazetën Politico.

Victoria Nuland, e cila ka shërbyer si diplomate e lartë amerikane për Evropën, ambasadore në NATO dhe zëdhënëse e Departamentit të Shtetit, do të emërohet nënsekretare e shtetit për çështjet politike, ose nr. 3 i Departamentit, shtuan burimet.

Një zëdhënës i tranzicionit të zotit Biden nuk pranoi të komentojë; po kështu edhe zonja Nuland. Wendy Sherman, e cila ka qenë nënsekretare e shtetit për çështjet politike gjatë administratës Obama, nuk i është përgjigjur kërkesave për koment.

Nëse konfirmohen nga Senati, Sherman dhe Nuland do të shërbenin nën zotin Antony Blinken, i përzgjedhur nga zoti Biden si sekretari i ri i shtetit.

Të dyja kanë përvojë të hershme në Departamentin e Shtetit, Sherman si e emëruar politike dhe Nuland si diplomate karriere.

Zonja Sherman, ka qenë këshilltare e Departamentit të Shtetit nga viti 1997 në 2001, kur ajo ka qenë gjithashtu koordinatore e politikave për Korenë e Veriut. Nga 1993 në 1996 ajo ka qenë si ndihmëse sekretare e shtetit për çështjet legjislative.

Zonja Sherman aktualisht është profesore në Shkollën John F. Kennedy për Qeverisjen të Universitetit Harvard dhe këshilltare e lartë në Grupin Albright Stonebridge, një firmë e strategjisë dhe diplomacisë komerciale.

Zonja Nuland, ish-ndihmës sekretare e shtetit për çështjet evropiane, ka qenë zëvendës këshilltare për sigurimin kombëtar të nënpresidentit Dick Cheney nga viti 2003 në 2005 dhe shefe stafi e zëvendës sekretarit të shtetit nga viti 1993 në 1996.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›