E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherri i dhunshëm pranë gjimnazit në Shkodër, Gjykata liron dy të rinjtë! Zanafilla e konfliktit që çoi në përplasjen mes adoleshentëve

Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur lirimin me masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për dy të rinjtë, Klevin Thepi, 24 vjeç, dhe Doronesto Kulla, 19 vjeç.

Të dy janë të dyshuar si organizatorët kryesorë të një sherri mes adoleshentësh, i cila ka ndodhur disa ditë më parë, pranë shkollës së mesme “Shejnaze Juka”, në qytetin e Shkodrës.

Ngjarja përfshiu rreth 15 të rinj, të ndarë në dy grupe, kryesisht të moshës 17–18 vjeç.

Konflikti nisi me grushte dhe më pas u përshkallëzua me përdorimin e sendeve të forta, ndërsa gjatë përleshjes dyshohet se është përdorur edhe armë e ftohtë (thikë).

Si pasojë e dhunës, tre adoleshentë mbetën të plagosur lehtë dhe u transportuan në spitalin rajonal të Shkodrës, ku morën ndihmën mjekësore.

Ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Sipas hetimeve paraprake, konflikti dyshohet se ka pasur zanafillë një përplasje të mëparshme mes nxënësve.

19-vjeçari Doronesto Kulla dyshohet se është përfshirë në sherr për të ndihmuar vëllain e tij 17-vjeçar, nxënës i shkollës “Shejnaze Juka”, duke u bashkuar në përleshje me persona të tjerë.

Pamjet filmike të sekuestruara nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin kur dy grupet bashkohen dhe nisin përplasjen fizike, e cila zgjat rreth një minutë, përpara se të shpërndahen.

Menjëherë pas ngjarjes, forcat e Policisë së Shkodrës dhe efektivët e njësisë “Shqiponja” ndërhynë në vendngjarje, duke sekuestruar prova filmike dhe duke nisur hetimet.

Fillimisht, dy të rinjtë e dyshuar si organizatorë u arrestuan, ndërsa për pesë shtetas të mitur (katër 17-vjeçarë dhe një 16-vjeçar) u nis procedim penal në gjendje të lirë. Ndërkohë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materiale në Prokurori për një 17-vjeçar, të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.

Policia ka identifikuar edhe persona të tjerë të përfshirë në konflikt, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje. Shkaqet e sakta të rrahjes mbeten ende të paqarta, por dyshohet se konflikti ka ndodhur për motive të dobëta.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›