E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherri për pronën me skrap, vritet me sëpatë 51-vjeçari

Ardi Hoti

Policia e Pukës shpall në kërkim 31-vjeçarin Palokë Çoku

Policia dyshon se babai i shtatë fëmijëve u vra për shkak të një konflikti të vëllait të tij me autorin

Ardi Hoti

Konflikti për tokën, ku mblidhej skrap me qëllim për të mbajtur familjen, dyshohet se i ka marrë jetën një 51-vjeçari nga fshati Gojan i Pukës, i cili është gjetur i masakruar nga familjarët e tij. Ngjarja e rëndë është regjistruar pasditen e djeshme, kur djemtë e Dodë Prengës janë shqetësuar për moskthimin e tij në shtëpi, pasi kishte dalë që në mëngjes për të kullotur bagëtitë. Duke e kërkuar në zonën ku ai qëndronte përditë, familja e ka gjetur të vrarë dhe menjëherë ka njoftuar policinë, e cila ka shpallur në kërkim një 31-vjeçar të dyshuar për këtë krim të rëndë, që ka tronditur të gjithë zonën.

Burimet policore lokale bënë të ditur se janë njoftuar për këtë ngjarje rreth orës 16:30 të pasdites së djeshme dhe menjëherë për në zonën e Gojanit të Madh, në Komunën e Gjegjanit të Pukës, janë nisur shërbimet e Komisariatit të Pukës, por edhe ato të Drejtorisë së Policisë së Shkodrës. Kur kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, grupi hetimor, i formuar për këtë krim, është vënë në dijeni se viktima Dodë Prenga ishte goditur në kokë me mjete prerëse, që dyshohet se ka qenë sëpatë. Familjarët kanë deklaruar për oficerin e policisë gjyqësore se ata kishin vetëm një konflikt, për shkak të një sipërfaqeje toke, që përdorej për nxjerrje skrapi. Sipas grupit hetimor, mësohet se familjarët e viktimës, i cili ishte babai i shtatë fëmijëve, kishte dalë që herët në mëngjes për të kullotur bagëtinë. Ai pritej të kthehej në shtëpi rreth mesditës, por kjo nuk ka ndodhur. Duke u shqetësuar për të, familjarët kanë dalë për ta kërkuar dhe e kanë gjetur në një zonë, jo shumë të dukshme, të gjakosur dhe të pajetë. Më tej, familja e tij ka rrëfyer për policinë se vëllai i Dodë Prengës, para pak kohësh ka pasur konflikt me një tjetër person të zonës në lidhje me një territor, ku mblidhej skrap nga mbetjet e shpërthimeve luftarake. Pasi ka marrë këtë informacion, policia deklaroi se e ka pasur më të lehtë për të identifikuar të dyshuarin, që sipas të dhënave zyrtare është Palokë Çoku, 31 vjeç, banor i së njëjtës zonë, banesa e të cilit është shumë pranë asaj të viktimës. Policia shpjegoi se ka ushtruar kontroll në banesën e tij, por nuk ka mundur ta gjejë, ndërkohë që në fshatin Gojan kanë shkuar edhe efektivët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës, që kanë bërë krehjen e zonës dhe kanë shoqëruar disa persona, që mund të kenë dijeni, apo janë të implikuar në këtë krim, ndërkohë që deri në orët e vona të natës nuk ka pasur ndonjë konfirmim zyrtar për arrestimin e autorit të dyshuar.

Sherri për pronën me skrap, vritet me sëpatë 51-vjeçari burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›