Shfaqet dokumentari “Në besë të shqiptarëve”, nga Rudina Xhunga

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ Në sallën COD të Kryeministrisë u shfaq dokumentari “Në besë të shqiptarëve”, nga Rudina Xhunga dhe “Dritare TV” që sjell në vëmendje ngjarjet e 81 viteve më parë, ku 13 burra dhe gra të ushtrisë amerikane u mbështetën te besa dhe mikpritja e shqiptarëve.
Në këtë aktivitet ku u shfaq premiera e dokumentarit, morën pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, bashkëshortja e tij, Linda Rama, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, përfaqësues të Ambasadës së SHBA, historianëve dhe gazetarëve,
Dokumentari tregon një ngjarje të panjohur për shumëkënd: në 8 nëntor 1943, një avion amerikan me 30 mjekë e infermierë u rrëzua në liqenin e Belshit. Gjatë një udhëtimi 62-ditor nëpër Shqipërinë e pushtuar, ata kaluan male, fshatra dhe luftuan për mbijetesë në dimrin e egër të vitit 1943. Pavarësisht përpjekjeve për t’u larguar, arritën të shpëtonin dhe u larguan me anije nga Gjiri i Gjon Gjilekës drejt Italisë. Ata kurrë nuk e mësuan se shpëtimtarët e tyre shqiptarë u vranë, por ata që ishin në besë të shqiptarëve ia dolën të ktheheshin të gjithë të gjallë në shtëpitë e tyre. Pas kësaj, për shumë vite, kjo histori mbeti sekret, derisa u deklasifikua dhe libri i parë u botua. Dritare TV po nxjerr në dritë këtë histori të jashtëzakonshme 80 vite më vonë, duke treguar rrugëtimin e atyre që shpëtuan, falë besës së shqiptarëve.“80-vjetori i Çlirimit të Shqipërisë me të thënat dhe të pathënat e betejave dhe sakrificave të shqiptarëve. E kujtojmë këtë përvjetor jubilar edhe me sakrificat e njerëzve që rrezikuan jetën e tyre për një Shqipëri të lirë”, u shpreh ministri Vengu në një postim në rrjetet sociale.
“Një dokumentar memorial, premiera e të cilit u shfaq në sallën COD të Kryeministrisë, ndërsa me Rudinën në të ardhmen do të na lidhin punë dhe bashkëpunime të tjera të këtij niveli për të sjellë në vëmendje të shkuarën tonë, e cila duhet të na udhëheqë drejt të ardhmes”, nënvizoi Vengu.
1 nga 10/r.e/a.f/