Shin Bet thyen heshtjen për skandalin e financimit të huaj: Të dhënat vijnë nga inteligjenca, jo nga politika

Për herë të parë që nga shpërthimi i skandalit për financim të jashtëm të dyshuar si të paligjshëm, Shin Bet — shërbimi i inteligjencës së brendshme të Izraelit — ka dalë me një deklaratë zyrtare për të sqaruar origjinën dhe qëllimin e hetimit që po trondit skenën politike.
Sipas agjencisë, informacioni që ka shërbyer si bazë për nisjen e hetimeve “buron nga aktivitetet e mbledhjes së të dhënave të kryera nga agjencia dhe nuk vjen nga ndonjë parti apo entitet politik që i përket ndonjë fraksioni politik”.
Përmes këtij sqarimi, Shin Bet synon të shmangë aludimet për përfshirje në betejat politike apo ndikim nga aktorë të brendshëm partiakë.
Hetim i kufizuar që nuk cënon procesin zgjedhor
Në njoftimin zyrtar, agjencia e inteligjencës konfirmon se procesi hetimor është ende në zhvillim e sipër, por nënvizon natyrën e tij të kujdesshme dhe të fokusuar.
Shin Bet sqaron se “është një hetim i synuar dhe i kufizuar, i cili nuk synon të fajësojë ose akuzojë një sektor të tërë që shkoi në zgjedhje në mënyrë demokratike dhe ligjore”, duke u distancuar nga çdo interpretim që do të mund të cenonte legjitimitetin e procesit zgjedhor apo të grupeve të caktuara shoqërore e politike në vend.
/rtsh.al/