E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shirat dhe përmbytjet/ Berisha në Shkodër: Situatë e paralajmëruar, qeveria e ka mendjen te vjedhjet

Kryetari i Partisë Demokratike zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha ka mbërritur në Shkodër ku është takuar me banorët e prekur nga përmbytjet. Teksa ka shprehur solidaritetin për situatën e krijuar, Berisha ka akuzuar qeverinë se nuk morën masa ndonëse reshjet e shirave dhe përmbytjet ishin paralajmëruar. Për kreun e PD Kryeministri Rama dhe Ministrja Belinda Balluku ndërtojnë skema vjedhje përmes importit të energjisë.

“Shpreh solidaritetin. Është dëshmi e një papërgjegjësie të plotë e këtyre qeveritarëve që dje hapën tunelet e Komanit dhe derdhën nga porta e Vaut të Dejës 200 metra kub në sekondë. Dhe të gjitha këto vetëm sepse nuk dilnin dot nga skema e vjedhjeve. Këto reshje ishin të parashikuara nga instituti shqiptar i gjeoshkencës që ua ka dërguar në zyra këtyre qeveritarëve që vjedhja u ka verbuare sytë dhe u  ka bllokuar mendjen. Stacioni meteorologjik italian në mënyrë specifike ka parashikuar reshje ekstreme dhe përmbytje në alpet e veriut.

Këto nuk mjaftuan për Ramën dhe Ballukun sepse ata e kanë mendjen të shfrytëzojnë energjinë për të vjedhur. Teksa importonin energji, bllokuan prodhimin e energjisë dhe del e thotë se: e bëra sepse duam të shtojmë rezervat. Ku i pate sytë ti kur të dhënat dëshmojnë se do kishe reshje të jashtëzakonshme? I kishte sytë te paratë që do vidhnin sepse kanë prokuruar për të importuar nga data 14-20 nëntor 10 milionë euro energji elektrike nga të cilat 5 milionë i fusin në xhep”, tha Berisha.

Sipas tij, energjia është shndërruar në një nga mallrat e vjedhjeve më të mëdha. Berisha thotë se në territorin e Shkodrës janë përmbytur më shumë se 2500 hektarë tokë.

“Tani që plasi skandali përpiqen të mashtrojnë dhe justifikojnë se s’donin të shpenzonin rezervën, por në të vërtetë nuk donin të ndërprisnin vjedhjen. Janë mbi 2500 hektarë të përmbytura në gjithë territorin e Shkodrës dhe ka kërcënime serioze. Qeveria ka qëllim armiqësor të hapur në Shkodër, janë kapur me një vjedhje në flagrancë”, tha Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›