E Diel, 1 Nëntor 2026

Shisnin drogë në zonat e Tiranës-Goditet grupi kriminal prej 33 personash, 22 prej tyre lihen në burg. 6 të tjerë shpallen në kërkim

Policia e Tiranës së bashku me prokurorinë ka goditur një grup kriminal që shiste lëndë narkotike duke vendosur në pranga 33 persona, ndërsa 22 prej tyre janë lënë në burg.

Sipas policisë, ata ishin pjesëtarë të këtij grupi kriminal dhe individualisht ose të organizuar në grupe, ushtronin veprimtarinë e paligjshme të shitjes së lëndëve narkotike, ndërsa vijon puna për kapjen e 6 shtetasve të tjerë të identifikuar si pjesë e këtij grupi kriminal.

Policia shpjegon më tej se ata e ushtronin aktivitetin e tyre kriminal në disa zona të qytetit të Tiranës, kryesisht në Bllok, Kamëz, Laprakë, Selitë, Tiranë e Re, Shkozë, Ali Demi, Xhamllik, Pazari i Ri, Shkolla e Kuqe, Astir, Myslym Shyri dhe Komuna e Parisit. Ndërsa lëndët narkotike shiteshin në lokale, tabakino, mjete taksi, si dhe të kamufluara si shpërndarje porosish të ndryshme.

Njoftimi i plotë i policisë:

Finalizohet pas 4 javësh hetime, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, operacioni policor i koduar “Labirinti 2”.

Goditet një grup kriminal që shiste lëndë narkotike. Identifikohen 33 shtetas, pjesëtarë të grupit kriminal, të cilët, individualisht ose të organizuar në grupe, ushtronin veprimtarinë e paligjshme të shitjes së lëndëve narkotike, në trajta të ndryshme. Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg” për 22 prej tyre. 5 shtetas janë arrestuar gjatë periudhës hetimore, ndërsa vijon puna për kapjen e 6 shtetasve të tjerë të identifikuar si pjesë e këtij grupi kriminal.

Si rezultat i operacionit u sekuestruan rreth 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë; 10 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 100 doza të kësaj lënde; 5 automjete; 28 celularë; 6 peshore elektronike dhe 3 000 euro. Në kuadër të operacionit u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit: R. D., 32 vjeç, E. P., 33 vjeç, A. H., 43 vjeç, O. M., 32 vjeç, F. C. (Ç), 34 vjeç, Xh. B., 31 vjeç, L. M., 23 vjeç, A. P., 47 vjeç, E. S., 39 vjeç, B. M., 34 vjeç, G. V., 39 vjeç, V. B., 19 vjeç, O. H., 35 vjeç, D. A., 39 vjeç, A. M., 23 vjeç, M. M., 19 vjeç, J. H., 29 vjeç, E. Gj., 31 vjeç, A. B., 20 vjeç, K. Rr., 27 vjeç, I. N., 22 vjeç dhe G. K., 20 vjeç.

Gjatë periudhës hetimore janë arrestuar shtetasit: A. V., 23 vjeç, E. P., 22 vjeç, G. V., 19 vjeç, S. C., 22 vjeç dhe R. Gj., 22 vjeç, të cilëve iu janë sekuestruar sasi të ndryshme lëndësh narkotike. Nga hetimet rezultoi se aktiviteti kriminal i shitjes së lëndëve narkotike shtrihej në disa zona të qytetit të Tiranës, kryesisht në: Bllok, Kamëz, Laprakë, Selitë, Tiranë e Re, Shkozë, Ali Demi, Xhamllik, Pazari i Ri, Shkolla e Kuqe, Astir, Myslym Shyri dhe Komuna e Parisit. Lëndët narkotike shiteshin në lokale, tabakino, mjete taksi, si dhe të kamufluara si shpërndarje porosish të ndryshme. 6 shtetas të tjerë të identifikuar si pjesë e këtij rrjeti janë shpallur në kërkim. Vijon puna për kapjen e tyre dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›