E Diel, 1 Nëntor 2026

Shitja e mishit në rrugë e rrezikshme për shëndetin, aksion në tregun e automjeteve

PRISHTINË, 8 shkurt /ATSh/ Inspektorati i Komunës së Prishtinës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK), ka ndërmarrë një aksion të gjerë që në orët e hershme të mëngjesit të sotëm për largimin e shitësve ambulantë nga hapësira publike në tregun e automjeteve që mbahet çdo të diel, duke gjobitur 15 shitës ilegalë, që shesin shpezë.

AUVK së bashku me drejtorinë e Inspektoratit të komunës së Prishtinës, e kanë cilësuar një veprim të tillë rrezik serioz për shëndetin publik, ku shitësit ilegalë në mënyrë brutale therin shpezët dhe i shesin në atë mënyrë.

Nga ana e AVUK-ut, shefi i zyrës për informim, Muharrem Shahini shtoi se blerja e shpezëve nga qytetarët në atë mënyrë janë të dëmshme për shëndetin, të pakontrolluara dhe antihigjienike.

Shahini theksoi se ky aksion nuk do të kufizohet vetëm për Komunën e Prishtinës por do të shtrihet në të gjitha komunat e vendit.

“Në mënyrën më brutale mund të them, theren, shiten, keqtrajtohen në këtë pjesë të qytetit të Prishtinës. Me këtë rast ne e kemi marrë edhe këtë, këtë vendim. Si agjencion dhe si institucion i cili kujdeset për shëndetin e qytetarëve të Kosovës sa i përket konsumimit të ushqimeve, mishrave dhe gjitha ushqimeve të tjera, atëherë ne edhe e kemi konstatuar që është e dëmshme për shëndetin. Njëkohësisht janë të pakontrolluara, mënyra se si theren, mënyra se si trajtohen është jo vetëm brutale po është anti-higjienike. Me shitjen në një ambient të hapur mish apo ushqime të tjera është e palejueshme. Kjo nuk vlen vetëm për komunën e Prishtinës, ky aksion do të zgjerohet edhe në komuna të tjera dhe nuk do të lejohet në mënyrë absolute qytetarët të konsumojnë ushqimin nëpër tregje të tilla”, shtoi Shahini.

Shitësit ilegalë që kishin ardhur nga komuna të ndryshme të Kosovës, nuk ishin dakord që t’u ndalohej të shisnin produktet e tyre.

Ata në shenjë proteste qëndruan në rrugë, para Policisë së Kosovës. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›