Shitje droge me “call center”, trafikantët kishin vënë dispozicion një numër celulari që shërbente 24 orë

Një ditë pas operacionit “Tempulli 3” nga Antidroga e Tiranës, detaje të reja kanë dalë në pah për goditjen e grupit kriminal që merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Trafikantët përdornin një numër të posaçëm celulari që shërbente për të kryer porosi njëlloj si në një call center. Telefoni ishte i vendosur në një dhomë në Laprakë dhe funksiononte 24 orë me të paktën 3 persona që punonin si operatorë.
Pas porosisë malli mbërrinte te konsumatori përmes disa shoferëve të taksive. Të paktën tre prej tyre u vunë në pranga gjatë ditës së enjte. Ndërkohë, anëtarët e organizatës përdornin banesa me qira për të ruajtur drogën , ndërsa mes tyre komunikonin përmes aplikacionit “Signal”.
Gjatë operacionit “Tempulli 3” u arrestuan 20 persona e 10 u shpallën në kërkim.
Ata të cilët shpërndanin kokainë, heroinë dhe kanabis në lokalet e natës, afër shkollave si dhe zona të tjera të frekuentuara nga të rinjtë.
Agjentët sekuestruan 3.5 kg kokainë, 50 doza heroine ,100 doza kanabis, 27 telefona celular si dhe 5 automjete.
Drejtuesit e grupit dyshohet se janë personat e arrestuar në muajin shkurt: Fatjon Çiçi, Ervis Gorellari, Enea Sulejmani, Shkëlqim Osteni dhe Igli Begaj. /vizionplus.tv