Shkaktoi aksident i dehur në timon, arrestohet punonjësi i Policisë së Këlcyrës

TIRANË, 28 janar /ATSH/ Një inspektor policie në Këlcyrë është arrestuar në flagrancë pasi dyshohet se shkaktoi aksident duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë – Gjirokastër) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë, Inspektor D. C., me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Postën e Policisë Këlcyrë, DVP Gjirokastër, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”, dhe “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”.
Punonjësi i policisë gjatë drejtimit të mjetit tip “Citroen” në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet, në vendin e quajtur fshati Ribaj është përplasur me mjetin tip “Nisan”, ku si pasojë kanë ngelur të dëmtuar pasagjerët e mjetit tjetër, shtetasit D. H., 57 vjeç dhe shtetasi R. S., 59 vjeç, të cilët pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Përmetit, janë larguar për në banesë.
Nga verifikimi me testin matës të alkoolit ai rezultoi pozitiv në masën 1,19 mg/l në testin e parë dhe 1,21 mg/l në testin e dytë.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.

/j.p/r.e/