E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shkarkohet drejtori i Policisë së Korçës

TIRANË, 1 nëntor/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka ndërmarrë masa disiplinore ndaj drejtuesve të Policisë në Korçë, pas ngjarjes së ndodhur në Devoll, ku një 32-vjeçar u mor me forcë nga banesa dhe u dhunua për motive të dobëta.

Pas analizës së veprimeve dhe menaxhimit të situatës, u konstatua se zinxhiri drejtues i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë nuk kishte përmbushur detyrimet ligjore dhe nuk kishte menaxhuar siç duhet ngjarjen.

Si rezultat, është shkarkuar nga detyra drejtori i DVP Korçë, Erion Ahmeti, ndërsa zëvendësdrejtori për Hetimin e Krimit, Hajri Kushe, është pezulluar deri në përfundimin e hetimit disiplinor.

Gjithashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor ndaj gjithë zinxhirit drejtues të DVP Korçë dhe Komisariatit të Policisë Devoll.

Në vend të Ahmetit, përkohësisht është caktuar në detyrën e drejtorit të DVP Korçë, Islor Islami, i cili më parë drejtonte Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës.

Policia e Shtetit theksoi se analizon me përgjegjësi çdo rast të mosveprimit profesional, duke marrë masa ndëshkimore në përputhje me ligjin dhe rregulloren e saj.

Më 27 tetor, 3 shtetas kanë marrë me forcë nga banesa shtetasin I. T., 32 vjeç, banues në fshatin Braçaj, Bashkia Devoll, i cili ishte me masë sigurimi “arrest në shtëpi”, për veprën penale “shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, dhe e kanë çuar në një biznes privat, ku është keqtrajtuar. 3 shtetasit e denoncuar janë vënë në pranga nga strukturat e policisë.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›