Shkeli perimetrin e sigurisë së pushuesve, bllokohet mjeti lundrues në Palasë

TIRANË, 16 qershor/ATSH/ Një mjet lundrues gomone u bllokua në Palasë nga shërbimet e Njësisë Policore Detare Dhërmi, pasi shkeli perimetrin e sigurisë ujore dhe u kthye në rrezik për pushuesit që frekuentonin plazhin.
Sipas policisë, drejtuesi i mjetit lundrues, shtetasi K. M, u ndëshkua me masën administrative 100 000 lekë të rinj si dhe bllokuan mjetin lundrues gomone në Portin Himarë.
Policia Kufitare, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare dhe patrullat tokësore do të vijojnë monitorimin dhe kontrollin e të gjithë zonave bregdetare, me qëllim sigurimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë pushuesit.
Policia apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese që të respektojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë ujore për plazhistët, të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete. Çdo shkelje e konstatuar do të trajtohet sipas ligjit në fuqi, për të garantuar sigurinë dhe rendin publik në zonat bregdetare. /k.s/