E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëlqimi dhe rënia

Kinemaja ABC i ka pasur edhe vitet e saj të mira, kur i kishte mbi 100 mijë vizitorë, por edhe vitet e vështira, kur nuk arrinte t’i mblidhte më shumë se 20 mijë shikues. Shkak i kësaj rënie, sipas menaxhmentit, është pirateria.

Edhe pse, vit pas viti, kinemaja do të duhej të rriste shikueshmërinë, me kinemanë ABC ka ndodhur e kundërta. Prej vitit 2001 deri në vitin 2008, vizitueshmëria në kinemanë ABC ka pësuar rënie të dukshme. Në vitin 2000, kur kishte filluar të funksionojë, Kino ABC ka pasur afër tridhjetë mijë vizitorë, ndërsa bumin më të madh e ka pasur një vit më vonë, duke shënuar rekord me më shumë se 112 mijë vizitorë.

Ky ka qenë viti më i frytshëm, jo vetëm sa i përket vizitueshmërisë por edhe shfaqjes së filmave cilësorë.

Sipas një liste të filmave të shfaqur në Kino ABC, e cila gjendet në websajtin e kinemasë, filmi që është shikuar më së shumti gjatë vitit 2001 ka qenë ‘Gladiator’ me mbi tetë mijë shikues, i pasuar nga ‘Pearl Harbour’ me 6832 shikues, ndërsa filmi i tretë më i shikuar ka qenë ‘The Patriot’ me afër pesë mijë shikues.

Edhe viti 2002 nuk ka qenë i keq, por megjithatë ka pasur rënie për rreth 20 mijë shikues më pak. Filmi më i shikuar gjatë vitit 2002 nuk ka qenë ndonjë prodhim i Hollywood-it, por filmi ‘Djelmoshat e rrezikshëm’ i Halil Budakovës.

Edhe vitet vijuese, megjithëse kanë shënuar rënie, kanë pasur mbi 50 mijë shikues. Ndërsa, rënia e madhe ka qenë në vitin 2006 kur, edhe pse janë shfaqur më shumë se 130 filma, kinemanë e kanë vizituar rreth 30 mijë njerëz.

Rënia e shikueshmërisë ka vazhduar edhe në vitin 2007, kur nuk ka arritur t’i mbledhë as 20 mijë shikues.

Ndërsa në vitet vijuese, shikueshmëria në Kino ABC ka filluar të rritet, por jo në masë të madhe. Gjatë këtyre tri viteve kinemanë e kanë vizituar jo më shumë se 35 mijë shikues.

Arsyeja e kësaj rënie të shikueshmërisë, sipas udhëheqësve të kinemasë, është pirateria.

Miradije Vllahiu, menaxhere në Kino ABC, u shpreh për Express se deri në vitin 2004 konkurrenca jolojale në treg nuk ka qenë shumë e zhvilluar dhe se ajo ka marrë hov prej vitit 2004 e këndej. Ajo thekson se në atë kohë nuk kanë ekzistuar ligjet që merren me këtë çështje, ndërsa habitet se si sot, pasi ekzistojnë ligjet, vazhdon një gjendje e tillë e konkurrencës jolojale.

“Nuk kemi pritur funksionim të ligjeve në atë kohë, mirëpo prej vitit 2004 është aprovuar Ligji për të drejtat autoriale dhe në vitin 2006 Ligji për kinematografi, por asnjëherë nuk kanë filluar të zbatohen dhe konkurrenca jolojale i ka dhënë hov të madh zhvillimit të piratërisë, kështu që në vazhdimësi kemi pasur luftë kundër piratërisë dhe kjo ka ndikuar të shikuesit e kinemasë”, u shpreh Vllahiu. Në vend që të bëjnë konkurrencë kinematë, Vllahiu thotë se po ballafaqohen me konkurrencë jo të ligjshme.

Ajo shton se kinemaja gjatë gjithë viteve ka punuar me të njëjtin tempo dhe me të njëjtën strategji.

“Ndoshta kur ka pasur numër paksa më të vogël të shikueshmërisë edhe programi i filmit në një përqindje ka qenë paksa më i zbehtë për shkak se të hyrat kanë qenë shumë të vogla dhe ne nuk kemi mbështetje institucionale dhe kemi funksionuar me shumë vështirësi dhe sakrifica përgjatë tri viteve”, thotë ajo për vitet 2004 deri në vitin 2007, vite këto që kanë pasur rënien më të madhe të shikueshmërisë.

“Vitet 2008, 2009, 2010 kanë pasur një numër më të madh të shikueshmërisë, diku rreth 35 mijë, por kjo ka qenë një rritje e ndjeshme”, thekson ajo.

Vllahiu shton se 99 përqind të programit e kanë me premiera botërore dhe ky është shkaku që ata insistojnë shumë që të kenë premiera botërore në mënyrë që ta luftojnë dukurinë e piraterisë, e cila, thekson ajo, nuk duhej të ishte çështje e tyre por çështje e institucioneve.

“Ato duhet të merren me mekanizma të caktuar, ta luftojnë dukurinë e piraterisë dhe neve do të na jepnin mundësinë që filmat edhe nëse nuk janë premiera, d.m.th. nëse janë brenda një muaji pasi të shfaqet premiera botërore, ata ishte dashtë ta kenë shikuesin e vet sepse gjithkund në botë filmi më së pari shfaqet në kinema, mbasi të përfundojë së shfaquri në kinema jepet e drejta për DVD. Kjo mundet me qenë tre apo gjashtë muaj apo edhe më tepër. Këtu është e kundërta. Këtu filmi jepet paralel, si në kinema ashtu edhe nëpër DVD”, tha Vllahiu.

Edhe Gani Mehmetaj, ish drejtor i Kosova Filmit, thekson se pirateria është problem që ndikon në vizitueshmërinë e kinemasë. Mirëpo, ai e gjen edhe një arsye tjetër. Ai thotë se gjatë atyre viteve kur shikueshmëria në Kino ABC ka qenë e lartë, në ekranin e saj janë shfaqur më shumë filma nga Kosova dhe Shqipëria.

“Në atë kohë ka pasur një interesim të madh për këta filmat e Kosovës, më vonë ka pasur pak produksion të Kosovës edhe të Shqipërisë, në krahasim me atë kohën kur ishte ajo euforia për filma shqiptarë”, tha Mehmetaj.

Çështje tjetër, sipas Mehmetajt, është numri i vogël i kinemave. Në Prishtinë aktive është vetëm një kinema dhe kjo, sipas tij, ndikon që të mos ketë shumë vizitorë.

“Kompania Genci e ka në dispozicion vetëm një kinema. Sikur t’i kishte njëqind kinema natyrisht se do t’i sillte premierat botërore që në muajt e parë. Sigurisht se do të funksiononte më mirë sikur t’i kishte, së paku, pesë kinema, ashtu sikur i ka pasur në vitet e tetëdhjeta. Sikur t’i kishte mbi tridhjetë kinema, që kanë qenë nëpër qytetet tjera, natyrisht se do të funksiononte shumë më mirë”, tha Mehmetaj. Sipas tij, distributorët e ndryshëm kanë më shumë llogari ta japin një film në 33 kinema sesa vetëm në një kinema.

10 filmat më të shikuar

1. ‘2012’, në regji të Roland Emmerich, aksion/aventurë/triler, 11554 shikues

2. ‘Koha e Kometës’ nga Fatmir Koqi, dramë, 10087 shikues

3. ‘Rrugët që vrasin’, Halil Budakova, aksion, 8345 shikues

4. ‘Gladiator’, Ridley Scott, dramë, 8303 shikues

5. ‘The Da Vinci Code’, Ron Howard, dramë/triler, 7163 shikues

6. ‘Vjeshta e trëndafilave’, Agim Sopi, dramë, 7083 shikues

7 ‘Pearl Harbour’, Michael Bay, dramë, 6832 shikues

8. ‘Adventures of Sharkboy and Lavagirl’, Robert Rodriguez, 6100 shikues

9. ‘Djelmoshat e rrezikshëm’, Halil Budakova, aksion, 5511 shikues

10. ‘Kukumi’, Isa Qosja, dramë, 5221 shikues.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›