Shkëmbimi me yllin e basketbollit/ Pentagoni i shqetësuar për lirimin e Viktor Bout

Shkëmbimi i Viktor Bout me basketbollisten Brittney Griner është parë me shqetësim nga Pentagoni pasi tregtari i paligjshëm ndërkombëtar i armëve mund t’i rikthehet të njëjtës punë.
“Unë mendoj se ekziston një shqetësim se ai do të kthehej për të bërë të njëjtin lloj pune që ka bërë në të kaluarën”, tha një zyrtar i lartë i mbrojtjes pas lirimit të Bout nga paraburgimi në SHBA. Bout po vuante një dënim me 25 vjet burg në SHBA me akuzën e komplotit për të vrarë amerikanë, për të blerë e eksportuar raketa kundërajrore dhe për të ofruar mbështetje materiale për një organizatë terroriste.
Zyrtari tha se Departamenti i Mbrojtjes do të vazhdojë të punojë me partnerët e tij në Afrikë për të kuptuar faktorët aktual të rrezikut në tregtinë ndërkombëtare të armëve.
“Ka një numër aktorësh atje që kanë ndikim në oligarkinë ruse. Ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët afrikanë në mënyrë që ata të kuptojnë rreziqet dhe kërcënimet e njerëzve me të cilët po punojnë dhe organizatave me të cilat ata po punojnë”, tha zyrtari.
/rtsh.al/